Këto nuk i keni ditur për Botërorin e këtij viti

Futboll 20 Korrik 2018 21:06

Botërori ka ditë që është mbyllur, por për FIFA-n asgjë nuk ka përfunduar ende dhe tani që të gjithë janë me pushime, për qeverinë botërore të futbollit është kohë bilancesh. “Rusi 2018”, një prej kupave më spektakolare të botës ka thyer shumë rekorde dhe do të mbahet mend gjatë nga spektatorët.

Pritej të ishte Botërori i Messit dhe i Ronaldos, pasi e kishin rastin e fundit, por ky turne konfirmoi edhe njëherë se futbolli luhet në skuadër. Ra gjithashtu edhe miti i mbajtjes së topit. FIFA ka përpiluar statistikat më pikante të turneut, nga golat e shënuar, deri te pritjet e portierëve, kilometrat, goditjet dhe gjatësia.

– 519 centimetra ishte gjatësia në total që bënin Luka Modriç (1.72m), Eden Hazard (1.73m) dhe Antuan Grizman, treshja më e shkurtër që ka fituar “Topin e Artë”, “Topin e Argjendtë” dhe “Topin e Bronztë” në Botërorin “Rusi 2018”, që prej Salvatore Schillaci, Lothar Matthausit dhe Diego Maradonës, që mezi bënë 512 centimetra mes tyre në Itali 1990.

– 135 vite dhe tre muaj ishte mosha e përbashkët e trajnerit të Uruguait, Oskar Tabarez dhe atij portugez, Fernando Santos, kur u përballën në 1/8-at, dy trajnerët më të vjetër në një ndeshje të Kupës së Botës. Tabarez dhe anglezi Roy Hodgson bënin 134 vite dhe dy muaj së bashku kur ekipet e tyre u përballën në Brazil 2014.

– 72.5 kilometra është distanca e përshkuar nga Ivan Perisis gjatë turneut, më e gjata nga çdo lojtar tjetër në Rusi. Xavi Hernandez (80 km) dhe Thomas Muler (84 km) ishin rekordmenët e Afrika e Jugut 2010 dhe Brazil 2014.

– 48 vite kishin kaluar nga hera e fundit që kur një skuadër kishte përmbysur një diasavantazh prej dy golash në një ndeshje me eliminim direkt në Kupën e Botës. E bëri Belgjika ndaj Japonisë 3-2. Për herë të fundit e kishte bërë Gjermania Perëndimore, e cila mposhti 3-2 Anglinë në Meksikë 1970, pavarësisht se atyre iu desh koha shtesë për t’ia dalë.

– 40 vite kanë kaluar nga finalja e fundit e një Botërori pa asnjë lojtar nga klubet e Bayernit të Munichut apo Interit të Milanos. Rekordmenët gjermanë e ruajtën statusin e tyre me aktivizimin e Corentin Tolisso për Francën kundër Kroacisë, ndërsa për zikaltrit startuan Marselo Brozovic dhe Ivan Perisic (Kroacia).

– 21 orë e dhjetë minuta është koha në total e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos pa shënuar në fazën me eliminim direkt të një Botërori. Argjentinasi dhe portugezi kanë bërë respektivisht 8 dhe 6 ndeshje në këtë fazë.

– 18 ndeshje kishin kaluar për skuadrat aziatike pa mposhtur ato amerikano-jugore në një Botëror, derisa Japonia e prishi mallkimin duke fituar 2-1 ndaj Kolumbisë.

– 14.3 ishte përqindja e pritjeve të David De Geas në Botëror (më e ulëta në Rusi 2018), i cili ishte edhe favoriti përpara turneut për të fituar çmimin e “Dorezës së Artë”. Portieri 27-vjeçar i Spanjës bëri vetëm një pritje dhe pësoi 6 gola në katër ndeshje. Danezi Casper Schmaihel shpëtoi 91.3 për qind të goditjeve që iu bënë portës së tij (21 nga 23), më shumë se çdo portier tjetër, i cili luajti më shumë se një ndeshje.

– 12 autogola u regjistruan në “Rusi 2018”, dyfishi i rekordit të mëparshëm (6), i vendosur në Francë 1998. Marokeni Aziz Buhaduz vendosi rekordin e autogolit më të vonë (minuta e 95-të kundër Iranit); Sergei Ignjashevic, pak përpara se të mbushte 39 vjeç, u bë futbollisti më i vjetër që shënon një autogol në Botëror, ndërsa Mario Manxukic u bë lojtari i parë që shënon një autogol në finale.

– 11 goditje është ajo çka qendërmbrojtësi i Anglisë, Harry Maguirre regjistroi në Rusi, më shumë sesa sulmuesi i Brazilit, Gabriel Jesus (10), Luka Modric (10), Gylfi Sigurdson (10), Rahim Sterling (10), Robert Lewandowski (9), Falcao (8), Kylian Mbappe (8), Paul Pogba (8), Sergio Aguero (6) dhe Delle Ali (5). Neymar është lojtari që bëri më shumë goditje (27), i ndjekur nga Ivan Perisic dhe Felipe Coutinho (22).

– 10 lojtarë belgë shënuan në “Rusi 2018”, duke barazuar rekordin e numrit më të madh të shënuesve për një kombëtare që prej Botërorit 1982 dhe 2006 (Franca dhe Italia).

– 7 Kupa Bote radhazi kanë përfunduar me eliminimin e Meksikës në fazën e 1/8-ave. Në 7 orë e gjysmë lojë kundër Brazilit në këtë kompeticion, Meksika nuk ka shënuar kurrë dhe ka pësuar 13 gola.

– 5 adoleshentë kanë shënuar më shumë se një gol në një ndeshje të Kupës së Botës, ndërsa Kylian Mbappe u bë i pari që prej Pelesë 60 vite më parë që arrin të shënojë dy gola në një ndeshje të Kupës së Botës me eliminim direkt (4-3 kundër Argjentinës në 1/8-at). 17- vjeçari Pele shënonte het-trik në gjysmëfinalen kundër Francës në 1958 dhe dy gola kundër Suedisë në finale.

– 4 penallti priti Danijel Subashic në Rusi, duke u bërë portieri i tretë që ndal kaq 11-metërsha pas Harald Schumacherit të Gjermanisë Perëndimore dhe argjentinasit Sergio Goikhocea. Kroacia, e cila luajti përtej 90 minutave kundër Danimarkës, Rusisë dhe Anglisë, u bë skuadra e dytë që shkon në kohën shtesë në tri ndeshje radhazi në kompeticion pas Anglisë në 1990.