KF Liria nga Prizreni, i takojnë 5.000 Euro nga FFK (Foto Grafika)

Futboll 22 Maj 2018 16:04

Sezoni 2017/18 i Vala Superligës së Kosovës në futboll ka përfunduar dhe kanë mbetur të zhvillohen vetëm edhe ndeshjet e barazhit, mirëpo skuadra Liria e Prizrenit, kishte kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), që të bëjë një korrigjim për sa i përket radhitjes tabelore.

Klubi prizrenas ishte ankuar pas publikimit të parë të tabelës përfundimtare nga FFK, pasi ishte renditur në pozitën e 7-të, e që ishte një gabim.

Liria, Ferronikeli dhe Drenica, kishin përfunduar sezonin me pikë të barabarta (48) dhe në këto raste, skuadra më mirë e renditur, vendoset në bazë të ndeshjeve direkte.

Kjo renditje nuk kishte ndodhur kështu, dhe Liria kishte përfunduar në pozitën e 7-të ne vend se të ishte në atë të 5-të, mirëpo nga klubi prizrenas besojnë se kjo gjë nuk ka ndodh qëllimshëm dhe ka qenë vetëm një gabim teknik.

Përndryshe skuadrës e cila përfundon në pozitën e 5-të në Vala Superligën e Kosovës, i takojnë 5.000 euro nga bonuset e FFK-së.

Më poshtë mund ta lexoni edhe postimin e skuadrës FC Liria, që e kanë bërë përmes faqes së tyre zyrtare në rrjetin social në Facebook, e po ashtu edhe tabelën përfundimtare (të përmirësuar) nga faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). /Insporti.com

 

-->