Khan synon ta njoftojë Crawfordin me humbje

Sporte luftarake 16 Prill 2019 20:10

Boksieri britanik Amir Khan, ish-kampion bote në peshën “welter” (pesha 64-69kg) ditën e shtunë ka shansin të rikthehet në majën e këtij Divizioni. 32-vjeçari do të përballet me amerikanin Terence Crawford, që mban titullin e kategorisë WBO. Kjo sfidë do të zhvillohet në “Madison Square Garden” të Nju Jorkut.

Një duel i vështirë për Khan, pasi përballë është një boksier i pamposhtur në ring (34 fitore e asnjë humbje për Crawford). Gjithsesi, britaniku shprehet se amerikani asnjëherë nuk është përballur më një rival si ai. Sfida e fundit e Crawford daton në tetor të vitit të kaluar.

“Do të jetë një nga sfidat më të mëdha të karrierës time. Kjo s’ka dyshim. Dhe kam shumë shanse që ta fitoj këtë titull”, tha Khan. “Të shohim se cilës kategori i përket Crawford. A është ai vërtet një boksier i nivelit të lartë, një nga më të mirët në botë? Jam i sigurt që kjo sfidë do të provojë të kundërtën, pasi ai që do të fitoj jam unë”, u shpreh Khan, 33 fitore e 4 humbje në karrierë.

“Kam, shumë besim te fitorja. Kam bërë gjithçka në mënyrë të përkryer gjatë muajve të fundit. E kam studiuar mirë Crawford, njoh stilin e tij dhe kam besim në forcat e mia. Më vjen keq për të që do të pësojë humbjen e parë, por e shoh veten fitues dhe kampion bote”, tha Khan, që ka dueluar për herë të fundit në shtator të vitit të kaluar.