Kjo do të jetë blerja 70 milionëshe e Juventusit

Futboll 20 Prill 2019 08:41

Juventusi po bëhet gati për ndryshime të mëdha në verë, duke rinuar skuadrën dhe duke përforcuar sidomos repartin e mesfushës, ku ka nevojë për më shumë energji, por edhe mbulim për Ramseyn, i cili do të jetë “truri” i saj pas krahëve të Ronaldos.

Sipas medieve angleze, bardhezinjtë kanë fituar garën me Manchester Cityn për mesfushorin e Lyonit, 22-vjeçarin Tanguy Ndombele. Futbollisti ka shkëlqyer në dy edicionet e fundit, duke fituar që në moshë të re edhe ftesën nga përfaqësuesja franceze me të cilën ka koleksionuar deri tani 4 ndeshje.

“The Sun” bën të ditur se Manchester City kishte ofruar 50 milionë euro për futbollistin, por ndërhyrja e bardhezinjve kishte qenë vendimtare. Klubi italian ka bërë gati një çek prej 70 milionë eurosh për Lyonin i cili nuk mund të refuzonte një shifër të tillë për djaloshin.

Tani mbetet të shihet se cili nga futbollistë e mesfushës së Juventusit do të sakrifikohen për t’i bërë vend Ndombele, duke llogaritur se bardhezinjtë do të synojnë të bëjnë investime të tjera të rëndësishme në skuadër, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm.