Kjo është deklarata më prekëse e Messit pasi e fitoi Topin e Artë

Futboll 02 Dhjetor 2019 23:53

Lionel Messi ka thënë se po afron koha e tërheqjes nga futbolli/

Leo Messi ka qenë shumë i emocionuar kur ka marrë në dorë trofeun e “Topit të Artë”, i 6-ti për të pas atyre të fituar në vitet 2009-2012 dhe 2015.

Sulmuesi tani është i vetmi me 6 trofe të tillë dhe ka lënë të kuptohet se kjo hegjemoni e tij, apo edhe e Ronaldos, nuk do të vazhdonte edhe shumë kohë.

“Më kujtohet që për Topin e Artë të parë erdha në Paris kur isha 22 vjeç me tre vëllezërit e mi, ishte e pabesueshme atëherë. Tani, 10 vite më vonë, është një moment ndryshe, shumë special në jetën time personale me gruan dhe tre fëmijët e mi që më shoqërojnë”, tha ai.

“Siç thoshte gruaja ime në mesazh, gjatë gjithë kësaj kohe nuk reshta kurrë së ëndërruari, duke vazhduar të dëshiroja të rritesha, të vazhdoja të përmirësohesha çdo ditë e sidomos duke iu gëzuar futbollit. Falë Zotit mund të bëj atë që dashuroj që kur isha një apo dy vjeç dhe nëse do Zoti më mbeten ende vite të tjera për ta bërë një gjë të tillë”, shtoi ai.

“Jam i ndërgjegjshëm për moshën që kam dhe këto momente gëzojnë më shumë pasi po afron momenti i tërheqjes nga futbolli dhe është i vështirë. E përsëris, nëse do të jem mirë më mbeten vite të tjera, por në këto momente duket sikur koha fluturon dhe kalon shumë shpejt. Shpresoj që të vazhdoj t’i gëzohem futbollit, familjes time, rivalëve dhe kësaj jete që kam”, tha Messi para sallës në Paris që e duartrokiti gjatë.

-->