Kjo është shuma që ka paguar Fenerbahce për Vedat Muriqin

Vedat Muriqi nga sezoni i ardhshëm do veshë fanellën e gjigantit turk, Fenerbahce, shkruan Insporti.com.
Transferimi i tij në Fenerbahce nga Rizespor është konfirmuar gjatë ditës së sotme nga të dy klubet, duke e përfunduar kështu “telenovelën Vedat Muriqi”.
Muriqi sezonin që shkoi ishte thjesht fantastik për Çaykur Rizespor duke qenë një ndër futbollistët kryesor të skuadrës.
Reprezentuesi i Kosovës zhvilloi sezonin e tij më të mirë në karrierë duke shënuar 17 gola dhe dhuruar 8 asistime në 34 ndeshje në Superligen turke.
Kjo bëri që shumë skuadra evropiane të interesohen për shërbimet e tij, por “lufta” kryesore për shërbimet e tij është bërë në mes të dy skuadrave më të mëdha në futbollin turk, Galatasaray dhe Fenerbahce.
Dëshira e reprezentuesit të Kosovës ishte të luante në një skuadër që i garantonte garën më të fortë evropiane në nivel klubesh “Ligën e Kampionëve”, e këtë mundte vetëm Galatasaray me kryetrajnerin legjendar, Fatih Terim, shkruan Insporti.com.
Gjatë kësaj periudhe mediet turke dhe shqiptare raportonin se ai kishte arritur marrëveshje me Galatasaray por që drejtuesit e Rizespor kërkonin shumën e “çmendur” prej dhjetë milionë euro.
Madje, ditë më parë vetë futbollisti nga Prizreni njoftoi se ai do të qëndronte në Rizespor deri në fund të kontratës së tij, pasi klubi nuk e lejtonte kalimin tek Galata.
Megjithatë, Muriqi sezonin e ardhshëm do të jetë sulmuesi i Fenerbahces duke nënshkruar kontratë katërvjeçare.
Fenerbahce për shërbimet e tij ka paguar 3,15 milionë, gjithnjë sipas medieve turke, transmeton Insporti.com.
Në këtë ‘operacion’ të ndërlikuar Feneri përfshiu edhe dy futbollistë të cilët do të huazohen në Rizespor si pjesë e marrëveshjes për t’i siguruar shërbimet e Muriqit.
Gjatë ditëve në vijim pritet të bëhet edhe prezantimi zyrtar i Muriqit si futbollist i Fenerbahces. /Insporti.com/