Kjo ishte deklarata ‘epike’ e Jurgen Klopp kur u pyet për Koronavirusin

Futboll 09 Mars 2020 17:42

Komentet e trajnerit të Liverpoolit, Jurgen Klopp pasi u pyet nga një gazetar për situatën në lidhje me Koronavirusin, janë bërë virale.

Ato janë shpërndarë sidomos prej atyre opinionistëve dhe mediave, që mbështesin fort pikëpamjen e tij se, për Koronavirusin duhet që të flasin ekspertët dhe jo kushdo që pyetet.

Po çfarë tha traineri i Liverpoolit në konferencën për shtyp?

Gazetari: “Dua t’ju bëj një pyetje në lidhje me shqetësimin prej Koronavirusit, a jeni të shqetësuar ju si ekip, si klub, në lidhje me përhapjen e tij, apo mënyrën se si mund t’ju prekë?”

Klopp: “Ajo që nuk më pëlqen në jetë është që për gjëra kaq serioze, të merret mendimi i një trajneri futbolli. Nuk e kuptoj këtë, vërtet që nuk e kuptoj. Unë mund t’ju pyes ju, por ju jeni ekzaktësisht në të njëjtin rol si unë. Nuk është e rëndësishme se çfarë thonë njerëzit e famshëm. Jo, ju duhet të flisni për gjërat në mënyrën e duhur. Njerëzit që nuk kanë njohuri, si puna ime, nuk duhet të flasin për këtë gjë. Njerëz që kanë kompetencë dhe njohuri duhet t’u thonë njerëzve që bëni këtë, apo atë, dhe gjithçka do të shkojë mirë (ose jo). Por jo trajnerët e futbollit. Këtë nuk e kuptoj dot. Politikë, koronavirus…”

“Përse unë? Unë kam thjesht një kapelë dhe një mjekërr të parruar. Unë jam i shqetësuar po aq sa ju, ndoshta edhe më pak, nuk e di nuk jam i sigurt, nuk e di se sa shumë të shqetësuar jeni ju. Por mendimi im vërtetë që nuk ka rëndësi. Unë jetoj në këtë planet dhe dua që ky planet të jetë i sigurt, i shëndetshëm. U uroj të gjithëve më të mirën. Absolutisht! Por opinioni im në lidhje me Koronavirusin nuk është i rëndësishëm.”

-->