Kulla 2019, gjithçka gati për garën e vitit

FASK 27 Qershor 2019 19:16

Shtegu i Kullës gjithmonë ka qenë atraktiv dhe tërheqës për automobilistët, ndërsa që nga viti i kaluar, kur kjo garë ka hyrë edhe në kalendarin e FIA CEZ (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit për Zonën e Evropës Qendrore), rëndësia e saj është edhe më e madhe.

Pikërisht në këtë fundjavë mbahet gara e radhës në disiplinën malore në kuadër të Kampionatit të Kosovës dhe Kulla do të jetë mikpritëse e garuesve tanë, por edhe atyre nga vendet e rajonit.

Këtë herë procedurat e garës fillojnë që të premten në mbrëmje, kur do të bëhet kontrollimi teknik i veturave, verifikimi i dokumentacionit, takimi i Komisionit Sportiv dhe publikimi i listës fillestare startuese.

Procedurat e zakonshme dhe dy vozitjet provuese do të kryhen të shtunën, ndërsa të dielën në orën 11:00 është ceremonia e hapjes së garës.

Vozitja e parë është në program në orën 12:00, e dyta në 14:00, ndërsa gjithçka pritet të përfundojë rreth orës 17:00.

Ndërkohë, Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK) kërkon mirëkuptim nga qytetarët që rruga në atë pjesë do të jetë e mbyllur në intervale të caktuara kohore, por gjithsesi duke u përpjekur që pritjet të jenë sa më të shkurta.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët se me datë 29 dhe 30 Qershor, në relacioni Radac- Rozhajë dhe anasjelltas do të ndalohet qarkullimi i automjeteve kohë pas kohe në intervalet kohore 11:00 deri në orën 15:00 për shkak të zhvillimit të garës malore ndërkombëtare “Kulla”, e cila organizohet në kuadër të “Central Europe Zona”. Falënderojmë të gjithë qytetarët për mirëkuptim”, thuhet në njoftimin e FASK-ut.

Fitues i vitit të kaluar ishte Bardhyl Canolli, i cili synon që edhe sivjet të arrijë të njëjtin sukses.