Klopp ‘thumbon’ Simeonen para përballjes me Atletico Madridin

Futboll 16 Dhjetor 2019 23:16

Jurgen Klopp ka thënë se Liverpooli s’do ta ketë lehtë përballjen me Atletico Madridin në Ligën e Kampionëve, por ka theksuar se rivali i tij Diego Simeone është i mërzitur që do të përballet me kampionët.

Liverpooli doli i pari në grupin e vet dhe në fazën e 1/8 së finales do të përballet me Atleticon, pas shortit të hedhur sot.

“Është short interesant. Para shortit, kam menduar se mund të jetë Madridi – një nga dy klubet – dhe kështu doli. Madridi është vendi ku kemi vetëm kujtime fantastike, të gjithë ne, andaj është e mrekullueshme, por këtë herë luajmë ndaj Atleticos dhe është në shtëpinë e tyre. Është vështirë, por duhet të kalosh nëpër këto, pasi janë katër apo pesë finalistë potencialë”, ka thënë trajneri i Liverpoolit për uebfaqen zyrtare të klubit.

“Është short shumë, shumë i mirë. Do të jetë vështirë, por nuk besoj se Simeone po sillet në dhomën e tij i lumtur që do të përballet me Liverpoolin”, ka shtuar më tej gjermani.

Liverpooli po i prin Premier Ligës me dhjetë pikë para ekipit të dytë, ndërsa Atletico është gjashtë pikë prapa liderëve Barcelona e Real Madrid.

-->