Klubet evropiane rebelohen ndaj FIFA-s

Futboll 15 Mars 2019 19:49

Zero besim ndaj Infantinos dhe FIFA-s nga Evropa! Shoqata e Klubeve Evropiane (ECA) i ka dërguar një letër FIFA-s, ku bën të qartë se 232 klubet anëtare nuk kanë dëshirë të marrin pjesë në Kupën e re të Botës për Klube, që presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, shpreson të themelojë.

E përditshmja gjermane ‘Süddeutsche Zeitung’ ka publikuar sot letrën e shkruar dhe firmosur nga klubet më të mëdha e të pasur në kontinent, përfshirë Real Madrid, Barcelona, Bayern Munich, Juventus, Paris St-Germain apo Manchester United.

“Jemi qartësisht kundër çdo Botërori të ri klubesh në këtë moment dhe konfirmojmë se asnjë klub që bën pjesë në ECA nuk do të marrë pjesë në këtë garë”, thuhet në letrën adresuar UEFA-s dhe për rrjedhojë FIFA-s.

Sipas klubeve evropiane, kalendarët janë përcaktuar deri në vitin 2024 he asnjë version i ri “Mundialito”-je nuk do të pranohet. Për pasojë, klubet evropiane i kërkojnë FIFA-s të shtyjë çdo vendim derisa të vijë momenti që shqetësimet dhe interesat e klubeve europiane të merren parasysh dhe të diskutohen gjerësisht.

Infantino ka kohë që punon për këtë projekt, që do të diskutohet në Miami këtë të premte dhe parashikon mbështetjen e investitorëve aziatikë e arabë, që janë gati të paguajnë deri në 25 miliardë dollarë, mbi 22 milionë euro, për të blerë të drejtat e organizimit, të paktën në kuotën 49 për qind.

Në bazë të projektit, 24 klube nga e gjithë bota do të merrnin pjesë në Botërorin e ri, që do të zhvillohej çdo 4 vjet, me edicionin e parë që do të zhvillohej nga 17 qershori deri në 4 korrik 2021.