Klubi kosovar i pingpongut organizon turne për të ndihmuar Shqipërinë

Tenis 02 Dhjetor 2019 17:13

Klubi i Pingpongut Prishtina, në bashkëpunim me Rotary Club Prishtina Newborn (RCPNB), organizojnë turne për të mbledhur fonde për Shqipërinë, me datën 4 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Shqipëria, u godit nga një tërmet prej 6,3 ballësh javën e kaluar, ku dhjetëra persona mbetën të vdekur e qindra të tjerë të lënduar. Që nga momenti i tërmetit të tmerrshëm, pothuajse e gjithë Kosova filloi aksione humanitare për t’i ndihmuar të prekurit nga tërmeti. E një veprim të tillë po e bëjnë edhe KPP Prishtina së bashku me Rotary Club Prishtina Newborn.

Kastriot Orana nga KPP Prishtina u shpreh se, “të gjitha të ardhurat nga ky organizim do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Pjesëmarrja në këtë turne është 5 euro, kurse për ata të cilët kanë mundësi mund të paguajnë edhe më shumë”.

Sa i përket interesimit ai theksoi se ka interesim të madh për të ndihmuar Shqipërinë me aktivitete të ndryshme.

“Kurse ne si klub i pingpongut, kemi organizuar këtë turne që të mbledhim fonde dhe të ndihmojmë sadopak personat e prekur nga tërmeti”, tha ai.

Klubi i Pingpongut Prishtina ju fton të bëheni pjesë e këtij aktiviteti dhe të përkrahim Shqipërinë.

-->