Klubi që e ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve e do Arijanet Muricin

Futboll 10 Janar 2019 15:06

Sa herë i jepet mundësia nga Pep Guardiola, Arijanet Muric jep më të mirën për të treguar se meriton më shumë minuta dhe e pret një e ardhme e ndritur. Kjo e ka shtyrë skuadrën e Nottingham Forest që ta monitorojë 20-vjecarin, raportojnë mediet britanike.

Portieri kosovar ishte titullar në ndeshjen e “Citizens” ndaj Burton Albionit në gjysmëfinale të Carabao Cup dhe e mbylli ndeshjen i pamposhtur, në fitoren e thellë 9:0 të Manchester City, raporton Insporti.

Humbja e Claudio Bravos, i cili ishte lënduar në start të sezonit, në gusht, ia ka hapur rrugën portierit të akademisë, që atë kohë ishte i huazuar në Holandë dhe Guardiola e ktheu në skuadër.

Murici ka bërë paraqitje pozitive sa herë ka qenë në portë, vlen të përmendet pritja e penalltive në çerekfinale ndaj Leicester City.

Sido që të jetë, Guardiola duket se e ka ndarë mendjen sa i përket numrit 2 në portën e skuadrës së tij.

Ai mund të jetë 23-vjeçari i Columbus Crew, Zack Steffen, që tashmë është bërë zyrtare dhe do t’i bashkohet Manchester Cityt në korrik të vitit 2019.

Kjo mund t’ia hapë rrugën Muricit për të kërkuar një aventurë të re dhe Nottingham Forest, fitues i Kupës Evropiane (Champions League) më 1978/79 dhe 1979/80, po interesohet për 20-vjeçarin e Kosovës.

Nottingham Forest bën gara në Championship, dhe pas 26 xhirove, gjendet në pozitën e shtatë me 39 pikë – 12 prapa liderit, Leeds United. /Insporti.com/