KMDLNJ-ja kërkon zgjedhje ligjore në FFK: Agim Ademi ka krijuar “monopol”

Kombëtarja 04 Mars 2022 14:23

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) shpreh keqardhje për situatën e krijuar në procesin zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Drejtori i këtij këshilli, Behxhet Shala bën thirrje që zgjedhjet në FFK të organizohen në mënyrë demokratike duke i respektuar ligjet e Kosovës, statutin e FFK-së, të drejtat e delegatëve dhe kandidatëve për kryetar. Ai thotë se kryetari aktual e ka krijuar njëfarë “monopoli”, ndërsa FFK-së ia kujton se në kuvend pas kuvendi bën shkelje të rregullave dhe procedurave. Thotë se kuvendi duhet të shpallet i paligjshëm nëse nuk respektohen standardet demokratike. 

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) i ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) që t’i organizojë në mënyrë demokratike zgjedhjet për president të saj, duke i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës, statutin e saj dhe të drejtat e delegatëve dhe të kandidatëve potencial për kryetar.

Futbolli kosovar ka hyrë në vitin zgjedhor. Në javën e parë të muajit korrik bëhen katër vjet prejse Agim Ademi e ka fituar mandatin katërvjeçar, i cili i është kontestuar po ashtu në vazhdimësi, por që ato dyshime e konstatime janë tejkaluar disi.

Mirëpo, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, i kryesuar nga Agim Ademi, të mërkurën papritmas e lëshoi një deklaratë, përmes së cilës tha ka e ka vendosur 6 prillin si datë të zgjedhjeve. I bie që zgjedhjet të mbahen disa muaj para skadimit të mandatit. Data e zgjedhjeve u bë e ditur vetëm një muaj para mbajtjes së Kuvendit.

Dhe, qysh në start filluan pakënaqësitë. Fillimisht reaguan Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti, të cilët i kanë konfirmuar kandidaturat e tyre për kryetar. Ata thanë se sipas statutit të FFK-së, Kuvendi Zgjedhor duhet të caktohet dy muaj para mbajtjes së tij, e jo një muaj siç bëri Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Ata thanë se një muaj më herët mund të ftohet Kuvendi i Jashtëzakonshëm i FFK-së, gjë që ndodh vetëm në raste të pazakonta, kur në rrethana specifike e të papritura federata mbetet pa kryetar.

Ata druajnë se kryetari aktual po e shfrytëzon “pushtetin” që e ka për ta mbajtur një Kuvend sa për “adet” – të montuar dhe për ta “rrëmbyer” edhe një mandat, madje me gjasë pa e mundësuar një garë në mes dy-tre kandidatësh, siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara të mbajtura në FFK.

Image

Ndërkohë, mbrëmë u publikua një letër që e ka dërguar në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së Eroll Salihu, i cili, si rezultat i përçarjeve të raporteve me kryetarin Agim Ademi, para pak muajsh është larguar nga posti i sekretarit gjeneral të FFK-së, duke u zhvendosur në një pozitë krejt të ulët në FFK.

Eroll Salihu, njohës i mirë i çështjeve ligjore si një jurist me profesion, sidomos të atyre që ndërlidhen me sportin e sidomos futbollin, ia ka tërheq vërejtjen kryesisë së FFK-së dhe Agim Ademit se zgjedhjet janë të paligjshme, duke iu referuar statutit të FFK-së, në hartimin e të cilit ka punuar vetë Salihu, e po ashtu duke iu referuar ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.

Këto zhvillime rreth procesit zgjedhor në FFK me vëmendje po i përcjell edhe KMDLNJ.

Drejtori Behxhet Shala, thotë për Gazetën Express se qysh tani, në njëfarë mënyre, po dihet fituesi – Agim Ademi, për të cilin thotë se e ka krijuar një lloj “monopoli”. Ai insiston se Kuvendi Zgjedhor duhet të shpallet i pavlefshëm nëse nuk respektohen rregullat për zgjedhje.

“Unë e përcjell me vëmendje futbollin kosovar pasi jam adhuruar i sportit. Agim Ademi duket se e ka njëfarë “monopoli”, po sillet dhe po pështillet puna dhe prapë ai po vjen në shprehje. Sekretari i deritashëm i ka dalë kundër dhe e ka vështirë të kandidojë. Kam dëgjuar që do të ketë dy kundër-kandidatë (Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti), por nuk e di nëse do t’i sigurojnë nënshkrimet. Prapë se prapë, Agim Ademi po mbetet favorit për ta fituar edhe një mandat”, thotë Shala.

Ai ia bën me dije FFK-së se nuk ka të drejtë t’ia pamundësojë dikujt tjetër kandidimin për president të FFK-së.

“Çdo pengesë kandidimi dhe çdo eliminim i kundërshtarit potencial është shkelje e të drejtave të njeriut. Ai Kuvend duhet të shpallet i pavlefshëm në këtë rast. Duhet të jenë kushtet e konkursit dhe ata që i plotësojnë kriteret, duhet t’i kenë mundësitë e barabarta. Kush fiton pastaj, kjo është një çështje tjetër. Por, çdo përpjekje për ta eliminuar kundërshtarin është veprim i kundërligjshëm, është pengim dhe shkelje ligjore. Do të ishte shkelje e konkursit, e barazisë”, deklaron tutje Shala për Express.

“Në secilin Kuvend Zgjedhor ka parregullsi dhe ato po përcillen Kuvend pas Kuvendi. Secili kandidat e ka rrethin e vetë dhe mundohet ta ruajë atë. Por, kryetari aktual i ka njerëzit afër vetes dhe si po shkojnë punët, është favorit”, shtoi ai.

Image

Kuvendi i FFK-së ka 59 delegatë. Për t’u kandiduar për kryetar një kandidat duhet t’i ketë nënshkrimet e së paku 15 delegatëve. Në FFK kaherë ka ndodhur që nënshkrimet t’i mbledh veç një kandidat, duke mos lënë mundësi që të ketë kundërkandidatë.

Eroll Salihu, Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti kanë thënë se FFK-ja nuk dëshiron t’i mbajë zgjedhjet në muajin korrik, kur kryhen garat kampionale, por dëshiron ta mbajë atë në vlugun e garave, pasi delegatët e klubeve nuk guxojnë të refuzojnë që t’ia dhënë nënshkrimet kryetarit aktual nga frika e “hakmarrjes” së tij në gara kampionale.

Në anën tjetër, FFK-ja kishte njoftuar se e ka marrë pëlqimin nga UEFA e FIFA për këtë proces zgjedhor që e ka nisur.

Por, Eroll Salihu thotë se drejtuesit e FFK-së ua kanë fshehur të vërteten e procesit zgjedhor zyrtarëve të UEFA-s e FIFA-s.

“Në muajin korrik struktura e delegatëve ndryshon: ekipet e Superligës bien nga liga dhe u mbetet vetëm nga një votë, ndërsa ekipet që hyjnë e kanë një votë më shumë. Po ashtu, ekipet që hyjnë në Ligën e Parë do ta kenë nga një votë, ndërsa ato që bien nga liga nuk kanë fare. Këtu shihet qartë manipulimi i juaj zgjedhor, me apo pa vetëdijen tuaj”, thuhet në letrën që Salihu ua ka dërguar prijësve të FFK-së.

“Dezinformimet që kanë rrjedhë, se kinse UEFA ka dhënë leje për mbajtjen e një Kuvendi të tillë, nuk qëndrojnë sepse atyre ua keni fshehur faktin se struktura deleguese ndryshon dhe se nuk ka asnjë arsye zyrtare për të mbajtur Kuvendin e rregullt zgjedhor tre-katër muaj më parë. Bile këtë të drejtë të klubeve për votë në Korrik nuk mund t’ua merr as Kuvendi i FFK-së sepse është shkelje e rëndë e Statutit të FFK-së dhe çdo Ankesë eventuale në Ministri dhe rrjedhimisht në Gjykatë do ta sillte para Gjykatës Komitetin Ekzekutiv dhe Kryetarin”, ka potencuar Salihu.

Në këtë formë, situata në futbollin kosovar është përshkallëzuar tutje dhe tash për tash mbetet e paqartë rrugëdalja nga ky “qorrsokak”.

-->