Koha të flasim për Ferizajn – tre muaj pa paga, kërkimi për trajner, lufta për mbijetesë

Futboll 07 Mars 2020 13:29

Nga premtimet për futboll evropian, më konkretisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, në krizë të thellë financiare e luftë për mbijetesë. Kjo është gjendja e KF Ferizajt tash e disa muaj, duke shtuar edhe faktin se është larguar trajneri i mirënjohur, Bekim Isufi, duke e rënduar gjendjen edhe më shumë në klub. Insporti ka zhvilluar një bisedë me drejtorin e klubit, Nadir Haxhimusa, i cili ka deklaruar se klubi ende është në kërkim të një trajneri.

Arbnor Luta

Ferizaj mbeti pa trajner, pas xhiros së 18 së IPKO Superligës së Kosovës, kur trajneri Isufi pas barazimit në shtëpi me kampionin Feronikeli, njoftoi për largimin e tij me arsyetimin se nuk mund të vazhdon punën për shkak se premtimet nuk janë realizuar.

Drejtori i Ferizajt për Insportin, Haxhimusa ka treguar se kryesia e klubit janë duke i shqyrtuar disa trajnerë, por që ende nuk kanë vendosur. “Jemi në shqyrtim të disa trajnerëve, siç e dini edhe ju kemi zhvilluar një takim me Bylbyl Sokoli, por që asgjë konkrete nuk është arritur. Nuk e përjashtojmë as mundësinë të vazhdimit me Burim Çerkinin, pasi është duke kryer një punë mjaftë të mirë. Të humbash ndaj Prishtinës, nuk është ndonjë gjë e madhe, Prishtina është Prishtinë. Nuk do të dorëzohemi deri në fund”.

Për gjendjen e rëndë në klub ka biseduar edhe një ndër futbollistët e formacionit të parë të Ferizajt, por për shkak të gjendjes, nuk ka dëshiruar që emri i tij të bëhet publik. “Tash e tre muaj nuk jemi paguar, është një gjendje e pa qëndrueshme financiare. Klubi ka probleme financiare të theksuara. Për hir të vërtetës duhet ta pranoj se jemi në një moment të vështirë, jo aq në aspektin sportiv por ka pasë një ngecje në aspektin financiar të klubit. Është e vështirë se duke qenë futbollisti me më shumë përvoje se tjerët bie në supe një peshë përgjegjësie në këto momente te vështira”.

 

Ai ka vazhduar tutje, duke e kërkuar edhe ndihmën e kryetarit të komunës së Ferizajt dhe atyre që e duan klubin, pasi është e vështirë që të vazhdohet në këtë mënyrë. “Dua të besoj që dhe sot ekipi të bëjë maksimumin të marrë rezultat pozitiv që pastaj të ulemi përfundimisht dhe njëherë bashkë me ata që e duan Ferizajn dhe të marrim përgjegjësit që na takojnë, duke përfshirë  njerëzit që menaxhojnë skuadrën të kryejnë obligimet e tyre dhe ne bashkërisht si ekip të vazhdojë tutje për të arrit këto objektiva. Pas ndeshjes se sotme dua të besoj shumë se njerëzit duke përfshirë dhe kryetarin e komunës do bëjnë reagimin që duhet për të kthyer gjërat në normalitet pasi kështu është e vështirë të vazhdohet. Besojmë që të nxitur nga sakrifica që kemi bërë këta 3 muaj me vështirësi ata do bëjnë pjesën e tyre të punës për të rregulluar gjërat”.

Vlen të theksojmë, se tash e disa muaj nga klubi janë larguar investitorët anglezë, për të cilët kishte raportuar Insporti.

Investitorët anglezë kishin bërë bujë të madhe të udhëhequr nga legjenda e Premier Ligës Angleze, Brian Deane i cili kishte premtuar se klubi brenda disa sezoneve do të jetë pjesë e Ligës së Kampionëve.

Por, ja që për fat të keq të tifozëve të klubit, të futbollistëve dhe futbollit tonë, edhe ky premtim do të mbetet vetëm në letër dhe një dështim i radhës.

Ferizaj sot zhvillon ndeshjen kundër Trepçës ’89 në shtëpi me fillim të orës 14:00.

Kjo do të jetë një ndeshje për mbijetesë, pasi dallimi në pikë është vetëm katër pikë. ‘89shi renditet në pozitën e tetë me 26 pikë, ndërsa “Ujqërit” në të dhjetën me 22 pikë. /Insporti.com/

-->