KOK mbulon gjysmën e shpenzimeve të përgatitjeve të boksit në Brezovicë

Boks 08 Qershor 2020 14:29

Komiteti Olimpik i Kosovës ka vazhduar me mbështetjen e sportistëve gjatë dhe pas pandemisë Covid-19.

KOK këtë herë do të mbulojë gjysmën e shpenzimeve të ekipit të boksit, të cilët kanë vendosur që për disa javë të përgatiten në Brezovicë për përgatitje fizike.

Federata e Boksit e Kosovës ka bërë të ditur se përgatitjet do të vijohen nga tri grupe, ndërsa grupi i parë i seniorëve ka udhëtuar të dielën dhe do të qëndrojë deri më 21 qershor.

“Përgatitjet bazike do të zhvillohen në lartësi mbidetare 1200-1700 metra, ushtrime forcë, kondicion, qëndrueshmëri etj dhe do të mbahen tri herë në ditë, gjithnjë duke respektuar këshillat e dalura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e FBOX-së.

Në përgatitje udhëtuan kanë udhëtuar: Bashkim Bajoku, Leotrim Rexhepi, Besfort Merlaku, Artan Shaqiri, Shpëtim Bajoku, Çlirim Zekaj, Patriot Behrami, Dionis Gashi dhe Besart Pireva me trajnerët Shefki Bogujevci e Kreshnik Shala.

Mbështetja për sportistët elitarë bëhet bazuar në vendimin e fundit të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, të cilët vendosën të heqin gjysmën e shpenzimeve për sportistët elitarë të cilët do të vijojnë kampe përgatitore, për të kompenzuar formën e humbur gjatë pandemisë.

Bazuar në këtë vendim, KOK ka mbuluar edhe gjysmën e shpenzimeve të karantinimit të ekipit Olimpik të xhudos, të cilët gjatë pandemisë u karantinuan në sallën stërvitëse në Pejë.

-->