Kombëtare apo përfaqësuese? Harrojeni këtë diskutim, është i kotë e i pafund

Kombëtarja 19 Nëntor 2019 09:51

Arben Berisha

Kombëtare apo përfaqësuese? Harrojeni këtë diskutim. Është i kotë e i pafund.

Përmbyllja e kualifikimeve për kampionat evropian, edhe pas një performanse të shkëlqyeshme të Kosovës, nuk kaloi pa iu kthyer temës së vjetër e të përhershme në diskutimin publik – Kombëtare apo përfaqësuese?

Diskutimi në këtë temë, fatkeqësisht aq sa jo përmbajtësor vazhdon të jetë edhe tepër sipërfaqësor e i cekët, me arsyen kryesore sjelljen e klikimeve.

Termi ”kombëtarja” (si emër dhe jo si mbiemër), për ekipet përfaqësuese sportive të një shteti, është futur në përdorim te shqiptarët diku në vitet e 90-ta. Kjo ishte një gjetje gjeniale, sipas të gjitha informatave, e gazetarit sportiv nga Shqipëria Besnik Dizdari. Por, ky term viteve të fundit ka sjell jo pak përplasje e konfrontime verbale mes proponentëve të Kosovo-centrizmit dhe atyre të një Shqipërie të bashkuar.

Përpara viteve të 90-ta, pra përpara se të zbulohej ky term (“Kombëtarja”) në Shqipëri, atëherë kur në Kosovë as që mund të mendohej se ajo do të mund ta kishte dikur në të ardhmen një ekip të vetin përfaqësuesnë arenën ndërkonëtare, ekipin që tash njihet si “kombëtar” e kanë quajtur “ekip përfaqësues” ose edhe madje vetëm “skuadër”.

Madje madje jo që nuk e kanë quajtur “kombëtare”, por nuk e kanë përdorur as ”ekipi kombëtar” ekuivalentin e termit standard në anglisht “National Team”.

E duke qenë se ky term tash është shndërruar në kaq problematik, pikërisht për faktin që Kosova e Shqipëria si dy shtete të ndara i përkasin të njëjtit komb, meqenëse “kombi kosovar” asnjëherë nuk u pranua dhe si i tillë e as u përligj, madje as nga ata që thirren si themelues të shtetit të Kosovës, shtrohet pyetja pse duhet imponuar njerëzit për ta përdorur atë nëse nuk duan?

E tash diskutimi i pafund, ç’është e vërteta edhe nga individë që okupojnë hapësira mediale publike (me faj të pronarëve të mediave vetëm sa për të bërë spektakle dhe kështu të tërheqin shikueshmëri dhe kështu të tërheqin klikime dhe kështu të fitojnë financiarisht), por që për nga njohuritë e përgjithshme janë tepër të cekët, e lëre më të gjërave më të komplikuara, mes asaj se a ka Kosova kombëtare apo përfqësuese apo vetëm Shqipëria ka kombëtare, po bëhet vend e pa vend.

Është absolutisht e padiskutueshme nëse Kosova duhet ta ketë ekipin e vet që e përfaqëson në skenën ndërkombëtare. Është naivitet që të shtrohet edhe si pyetje madje. Aq sa është e padiskutueshme qenia e saj (Kosovës) si subjektivitet ndërkombëtar që kërkon të forcohet gjithnjë e më shumë në skenën ndërkombëtare po aq është e padiskutueshme që ajo ta ketë edhe ekipin e vet.

Por pyetja bazike këtu në të vërtetë është a do të ekzistonte ky problem (pra se si duhet quajtur ajo) dhe ky debat i pafund mes shqiptarëve, po të mos ekzistonte ky term (Kombëtare)? Jam absolutisht i bindur që ky diskutim nuk do të ekzistonte fare, sepse shqiptarët do ta merrnin si të mirëqenë ekipin përfaqësues të Kosovës dhe do ta përkrahnin atë po aq sa e përkrahin Kosovën si shtet.

Pyetja tjetër që shtrohet, e që është kulmi i navititetit është nëse Kosova duhet ta ketë fare ekipin e vet përfaqësues, pra me çfarëdo emërtimi?

Kjo është po aq e diskutueshme sa bie fjala nëse Kosova duhet ta ketë qeverinë e vet, parlamentin e institucionet tjera, duke qenë se ajo është shtet. Natyrisht që duhet t’i ketë të gjitha këto, sepse është shtet i pavarur e po kështu duhet ta ketë edhe ekipin e vet përfaqësues. Pra, përderisa ekziston shteti i pavarur i Kosovës, duhet të ekzistojë edhe ekipi i tij. Por është absolutisht e parëndësishme, triviale, e rëndësisë së fundit, se si e quajmë atë, sepse siç thuhet, e rëndësishme është përmbajtja dhe jo forma. Ky është një keqkuptim aq i madh, që u shndërrua në problem të përhershëm e të pazgjidhshëm, por gjithsesi atraktiv për publikun, kryesisht për arsye se injorancës iu dha e po i jepet hapësirë që të flasë për të.

Apo ndoshta këtu faji është i vet termit të zbuluar, e jo i shqiptarëve?! Dhe ky faj pikërisht për këtë term, te shqiptarët është “kontekstual” marrë parasysh historinë e përbashkët. Tek të tjerët kjo nuk do të ishte as çështje, e lërë me problem.

Se sa i përëndësishëm është diskutimi nëse duhet të quhet patjetër “kombëtare” njëra e “përfaqësuese” tjetra, ja se çfarë ka ngjarë në të kaluarën dhe cili është kontektsti rajonal, evropian e botëror i kësaj çështjeje edhe sot e kësaj dite.

Në të kaluarën Shqipëria ekipit të vet i është referuar si “ekip përfaqësues”.

Për shembull fotoja mësipërme tregon se si i referohej gazeta e kohës në Shqipëri, ekipit përfaqësues në vitin 1968. Pra i referohej “Skuadër” dhe për këtë s’kishte asnjë problem, sepse termi “kombëtare” nuk ishte zbuluar ende.

E në Kosovë askush, e në diskutimin publik jo se jo, ekipit përfaqësues i është referuar si “Kombëtare” deri pak kohë para njohjes nga UEFA e FIFA dhe për këtë nuk kishte asnjë problem.
A do të ekzistonte sot mes shqiptarëve kjo ndarje kaq e madhe po të përdorej sot vetëm termi “skuadra”? Jam i bindur që jo.

Për të shkuar më tutje e për ta fuqizuar argumentin e mësipërm, ka shembuj të panumërt se si vendet e tjera e quajnë ekipin e tyre përfaqësues.

Kroacia e quan “Nogometna reprezentacija Hrvatske” (pra “reprezentacioni i Kroacisë në futboll”), Portugalia e Brazili i quajnë “seleksion”, Gjermania e quan “Mannschaft” (ekipi i burrave), Anglia “England Football Team” e kampioni i botës – Franca “Equipe de France de Football”, kurse Holanda “The Netherlands Football Team”. Pra e shihni, pothuajse asnjë nuk e quan veten ekip “kombëtar” dhe nuk ka asnjë problem këtu.

Për ta standardizuar gjuhën e diskutimit, UEFA e FIFA që të gjitha i quan “National Teams”, por ky term absolutisht nuk është obligativ siç në mënyrë qesharake dhe nga padituria e thellë thuhet vazhdimisht. Pra thjeshtë është një term standard që përdoret për të gjithë, por kurrë dhe asnjëherë obligativ. Sepse fundi i fundit UEFA e FIFA në dokumentet e veta zyrtare s’mund t’u referohet pjesëmarrësve në një kampionat evropian apo botëror herë si “ekipe përfaqësuese”, herë si “kombëtare” e herë si “skuadra shtetesh”. Ajo u referohet që të gjithave me fjalor uniform e ato le ta quajnë veten si të duan në gjuhët e tyre.

Prandaj ky diskutim nuk duhet të ekzistojë fare. Tek e fundit le ta quajë kushdo sido që dëshiron ekipin e Kosovës dhe të Shqipërisë, sepse duke i quajtur si ato nuk donë as nuk i bëjnë ato më të mëdha as më të vogla, as i bëjnë më të rëndësishme e as më pak të rëndësishme, e aq më pak i ndihmon ato për kualifikim në kampionate evropiane e botërore.

-->