“Kombëtarja e Kosovës, kombëtarja më e pastër në rajon”

Kombëtarja 11 Shtator 2019 09:59

Gazetari Leart Hoxha ka thënë se Kombëtarja e Kosovës në futboll është kombëtarja më e pastër në rajon, pasi sipas tij, aty nuk ndërhyn politika ose dikush tjetër.

Hoxha, kryeredaktor në Insporti, në ‘Duelin Sportiv’ komentoi prurjet e reja te kombëtarja si dhe situatën me menaxhimin brenda kombëtares.

“Kombëtarja e Kosovës është kombëtarja më e pastër dhe më me integritet në rajon”, tha Hoxha, përcjell Insporti

“Nuk ndodh që agjentat ose menaxherët të diktojnë formacion, nuk ndodhë që bastoret të diktojnë formacion, nuk ndodh që politika të përzihet në punë të trajnerëve”, tha ai.

Ai po ashtu komentoi çështjen e prurjeve të reja te kombëtarja. Sipas Hoxhës, më futbollistët nuk mund ta kushtëzojnë kombëtaren para se t’i bashkohen, për shkak të sukseseve të mëdha dhe nivelit në të cilën ajo ka arritur.

“Deri më tani këta lojtarë të cilët do të bashkohen, kombëtares do t’i bashkohen pa qenë në pozitë të vendosin kushte, dhe kjo është pjesa më e rëndësishme”, shtoi ai.

“Nuk duhet të jesh në gjendje të kushtëzosh ekipin, pasi që nuk kushtëzohet një ekip i cili ka gjasa reale që të luajë në kampionat evropian dhe i cili i ka lidhur 15 ndeshje pa humbje”, tha Hoxha.

“Nuk ka lojtarë të atij kalibri që është në gjendje që këtë ekip ta kushtëzojë, dhe mendoj se struktura aktuale e kombëtares, pavarësisht radhitjes, por edhe trajneri edhe njerëzit që janë brenda në federatë, për këtë punë kanë meritë të jashtëzakonshme”, përfundoi Hoxha. /Insporti.com/