Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka këtë kërkesë për deputetët rreth Ligjit për Sponsorizim

Kombëtarja 20 Qershor 2019 11:22

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që në seancën e radhës ta votojë amendamentimin e Ligjit për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, i cili e mundëson harmonizimin me Ligjin për Sponsorizim, i cili FFK-ja ka vlerësuar se “është jetik për zhvillimin e sportit dhe në veçanti për futbollin”, transmeton Insporti.

FFK-ja shkruan se mosmiratimi i këtij Ligji në seancën paraprake ka zhgënjyer tej mase komunitetin sportiv dhe njerëzit që për shumë dekada kanë qenë afër sportit, e të cilët nuk kanë kursyer asgjë për ta mbajtur gjallë aktivitetin e klubeve.

“Ne, si KE i FFK-së, i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në seancën e radhës të jenë në numër të mjaftueshëm dhe ta kalojnë amandamentimin e këtij ligji, ngase kjo do të ishte përkrahja e tyre më e madhe për sportin në këtë periudhë”, thuhet në shkrim.

“Në kohën kur sporti ynë po i radhit sukseset e njëpasnjëshme e kur futbolli është bërë ambasadori më i mirë i vendit në botë dhe sukseset e djemve tanë të Kombëtares po na bëjnë krenarë të gjithëve, është obligim i secilit prej nesh që të jemi të përgjegjshëm dhe të punojmë për ta përkrahur sa më shumë sportin”.

Sipas FFK-së, miratimi i këtij ligji i hap rrugë zhvillimit të futbollit dhe klubeve kosovare dhe njëherësh ua mundëson dhe i josh kompanitë e shumta që t’i përkrahin klubet e futbollit për zhvillim edhe më të hovshëm, por krijon mundësi edhe për përmirësim të infrastrukturës. FFK tutje shton se falënderon të gjithë deputetët që po i japin mbështetje këtij ligji dhe shpreson se në seancën e radhës amandamenti që mundëson harmonizimin e këtyre ligjeve do të kalojë me shumicë votash.

“Sportistët tanë po e bëjnë punën e tyre me krenari e përgjegjësi në çdo arenë, tani mbetet radha e deputetëve që të dëshmojnë se janë përkrahës të njëmendtë të zhvillimit të sportit, duke e votuar Ligjin në fjalë”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Insporti.com/