Komiteti Olimpik bën thirrje që të vaksinohen të gjithë atletët kundër COVID-19

Atletikë 09 Qershor 2021 22:48

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar po këmbëngul që të kryhet sa më shpejtë procesi i vaksinimit tek të gjithë atletët që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios.

Deri më tani, 80 përqind e atletëve janë imunizuar kundër COVID-19.

Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” pritet të mbahen më 23 korrik të këtij viti, mes shqetësimeve se ngjarja globale do të rëndojë gjendjen sa i përket koronavirusit.

Shumë ekspertë mjekësorë janë duke e kundërshtuar organizimin e lojërave, duke thënë se ato mund të shkaktojnë një valë të re infeksionesh, shkruan Euronews.

“Ne njoftuam 74 përqind të atletëve të vaksinuar disa ditë më parë, tani jemi shumë më mirë se kjo”, tha Drejtori Ekzekutiv i Lojërave Olimpike, Christophe Dub, gjatë një konference për shtyp të mërkurën.

“Ajo që ne po bëjmë tani është të kontaktojmë çdo Komitet Olimpik Kombëtar dhe atletë dhe të shohim se ku mund të ndihmojmë. Ne vazhdojmë përpjekjen derisa të kontaktojmë secilin”, shtoi më tutje ai.

Organizatorët e “Tokyo 2020” kanë ndaluar vizitorët e huaj dhe thanë se atletët dhe ekipet e mediave do të monitorohen përmes GPS për 14 ditët e para të qëndrimit të tyre për t’u siguruar që ata të mos largohen nga itineraret.

Në anën tjetër, Japonia deri më tani ka regjistruar më shumë se 760 mijë raste dhe afro 13 mijë e 600 vdekje nga COVID-19.

-->