Kompania e basteve e fshin nga sistemi ndeshjen Llapi – Feronikeli

Futboll 15 Maj 2019 14:09

Ndeshja më e diskutuar e xhiros së parafundit në Superligën e Kosovës dhe ndoshta e gjithë kampionatit, është ajo ndërmjet Llapit e Feronikelit. Pritjet janë që Llapi të mos japë më të mirën nga kjo ndeshje, për t’i pamundësuar titullin Prishtinës.

E një detaj që është vërejtur në faqen e kompanisë më të madhe të basteve në botë, ka bërë që të ngriten edhe më tej dyshimet.

Kompania e njohur e basteve, bet365 e ka fshirë nga sistemi ndeshjen Llapi – Feronikeli, e vlefshme për xhiron e 32-të të IPKO Superligës.

Në buletinin e bet365 figurojnë tri ndeshjet e tjera të Superligës, Drenica – Ballkani, Drita – Flamurtari e Prishtina – Trepça, por jo edhe kryendeshja e kësaj xhiroje.


Në faqen e “bet365” nuk figuron takimi ndërmjet Llapit e Feronikelit

Për ndeshjen e sotme që do të luhet në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, kjo ka bërë që të shtohen dyshimet.

Deri kur pësoi disfatë në Prishtinë xhiron e kaluar (1:0 në ‘Fadil Vokrri’), Llapi ishte në garën për titull. Një rezultat pozitiv ndaj Prishtinës do të bënte që skuadra e Batatinës të shkonte në ndeshjen me Feronikelin me të gjitha forcat, për të vazhduar garën për titull.

Por, kjo nuk duhet të ndodhë sipas tifozëve të skuadrës llapjane, që kanë kërkuar nga ekipi i tyre t’ia lëshojë ndeshjen Feronikelit, në mënyrë që Prishtina mos të bëhet kampione.

Për më tepër, ishte vetë trajneri Batatina ai i cili pas disfatës së pësuar në derbi në fundjavë, deklaroi se “Prishtina nuk do të bëhet kampione”.

Për këto deklarata Komisari i Garave i FFK-së ka hapur procedurë disiplinore nga ndaj Batatinës. /Insporti.com/