Komplikohen negociatat për Smalling, anglezi mund të rikthehet në Manchester United

Futboll 26 Qershor 2020 20:39

Mbrojtësi anglez Chris Smalling rilindi këtë sezon me fanellën e Romës, por duket se do të jetë e vështirë që të vijojë karrierën në klubin e kryeqytetit italian, duke qenë se mes verdhekuqve dhe Manchester United nuk ka një marrëveshje për transferimin përfundimtar.

Smalling u transferua në huazim të thjeshtë në Romë, pa përcaktuar shifrën e blerjes, ndërsa tashmë pretendimet e “djajve të kuq” janë shumë më të larta sesa kishin parashikuar italianët për të paguar për kartonin e tij.

Për më tepër, drejtuesit e Romës nuk kanë gjetur akordin as për zgjatjen e rinovimit deri në fund të gushtit, pasi Manchester United ka dhënë miratimin që lojtari të qëndrojë në Itali deri në fund të korrikut.

Kjo pasi si Roma, ashtu edhe Manchester United janë konkurrente në Europa League, ndaj “djajtë e kuq” kanë ngritur pretendimin që nuk mund ta lënë mbrojtësin edhe në gusht te italianë, pasi nuk duan të përforcojnë një rival.

Megjithatë kjo lëvizje shihet më tepër si një presion i anglezëve, që Roma të rritë ofertën dhe të paguajë shifrën e kërkuar për kartonin e Smalling, i cili është shndërruar në një lider të prapavijës së verdhekuqve këtë sezon.

-->