Konfirmohet: Kosova në Spanjë me simbole shtetërore

Kombëtarja 02 Qershor 2019 16:44

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, ka zhvilluar takime të shumta gjatë Konferencës së Presidentëve të EHF-së dhe FINAL4 të Ligës së Kampionëve, që po mbahen në Këln të Gjermanisë.

Presidenti Saraçini është takuar edhe me presidentin e IHF-së, Hassan Moustafa dhe me përfaqësuesit e Federatës së Hendbollit të Spanjës, raporton FHK, përcjell Insporti

Në këto takime presidentit të FHK-së i është konfirmuar se flamuri i shtetit të Kosovës dhe himni i Kosovës do të respektohen gjatë kampionatit botëror të juniorëve që në muajin korrik mbahet në Spanjë.

Në këtë botëror merr pjesë edhe Kosova, ndërsa autoritetet spanjolle nuk e kishin shfaqur flamurin e Kosovës në ceremoninë e shortit, duke e zëvendësuar atë me logo të FHK-së.

Por reagimi i FHK-së ishte i menjëhershëm dhe Federata Ndërkombëtare e Hendbollit i dha afat Spanjës që deri në fillim të qershorit të jap garancë se do të respektohen simbolet e Kosovës në Botëror, në të kundërtën Spanjës do t’i merret e drejta e organizimit të Botërorit.

Por në takimet që në fundjavë kishte presidenti Saraçini me mikun e madh, presidentin e IHF-së, Hassan Moustafa dhe presidentin e Federatës së Hendbollit të Spanjës z. Paco Blazquez Garcia, u konfirmua respektimi i simboleve të Kosovës.

Ky konfirmim erdhi pas një komunikimi të gjatë të FHK-së me IHF-në dhe Federatën spanjolle. IHF-ja, njëjtë si Federata kosovare, ishte kategorike që Kosova të paraqitet e barabartë me vendet tjera, pra që të respektohen të gjitha simbolet e Kosovës. Kështu Spanjës nuk iu la rrugëdalje pos të pranojë paraqitjen e Kosovës me të gjitha simbolet.

Në Konferencën e Presidentëve të federatave nacionale të EHF-së, presidenti Saraçini po shoqërohet nga nënpresidenti Enis Idrizi. Dy drejtuesit e Federatës kanë pasur takime të shumta me rëndësi për hendbollin kosovar. /Insporti.com/