Konfirmohet mungesa e lojtarit kryesor të Kosovës për sfidat ndaj Sllovakisë dhe Islandës

Kombëtarja 21 Nëntor 2020 11:51

Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha do të mungojë për Dardanët në sfidat ndaj Sllovakisë dhe Islandës, në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023, transmeton Insporti.

Përkundër përpjekeve maksimale nga ana e Berishës, së bashku me një bisedë me përzgjedhësin Christos Marmarinos është vendosur që Berisha të mos luajë në këto dy sfida.

Berisha gjithmonë ka dhënë maksimumin në parket, duke udhëhequr Kosovën dhe ka dhënë shumë për basketbollin e Kosovës, megjithatë, e ka të pamundur t’i bashkohet Kosovës në këto dy përballje, për shkak të infektimit me Covid-19.

Federata e Basketbollit e Kosovës e falënderon Berishën për dëshirën e madhe për t’iu bashkuar ekipit dhe beson se ai do të jetë lider sërish në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, kur Dardanët do të përballen me Sllovakinë dhe Luksemburgun, në takimet që do të vendoset se kush do të kualifikohet nga grupi. Kosova është lidere e grupit me dy fitore në dy përballje, duke mundur Islandën dhe Luksemburgun.

Basketbollistët e grumbulluar te Kosova premtojnë se do të japin maksimumin për ndeshjet ndaj Sllovakisë dhe Islandës, që zhvillohen më 26, përkatësisht 28 nëntor.

-->