Konfirmohet sa do t’i mungojë Mustafi Arsenalit

Futboll 30 Janar 2020 09:12

Qendërmbrojtësi Shkodran Mustafi do të jetë i gatshëm prej javës së ardhshme, pasi është raportuar se lëndimi që mori ditë më parë nuk ishte aq serioz siç ishte parashikuar.

Mediumet angleze kanë shkruar të mërkurën se pas ekzaminimeve është konstatuar se Mustafi ka pësuar lëndim të lehtë dhe do të mungojë vetëm në ndeshjen kampionale kundër Burnleyt, që do të zhvillohet të dielën në kuadër të Premier Leagues.

Mustafi të hënën u lëndua në ndeshjen e Kupës FA kundër Bournemouthit dhe në minutën e 62-të e lëshoi fushën me barelë.

“Mustafi do t’i mungojë Arsenalit vetëm në ndeshjen me Burnleyn dhe pastaj do të jetë i gatshëm për shkak se lëndimi është i lehtë”, ka shkruar Daily Mail.

Mustafi, 27-vjeçar, këtë edicion ka 13 paraqitje për Arsenalin në të gjitha garat dhe ka shënuar një gol e ka bërë një asistim.

Ai ka kontratë me ekipin londinez deri në vitin 2021, derisa kohëve të fundit është folur për një largim të mundshëm të tij, si pasojë e paraqitjeve zhgënjyese.

-->