Konfirmon Vitia: Këto sporte nuk zhvillohen nga qershori

Futboll 31 Maj 2020 20:12

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në konferencë për shtyp ka treguar se pas takimit mbrëmë me ministren e MKRS-së, Vlora Dumoshi dhe IKShPK-në kanë vendosur që të vazhdohet vetëm me Superligën e Kosovës në futboll.

Ai ka treguar se Federata e Basketbollit dhe Hendbollit kanë treguar mirëkuptim dhe kanë hequr dorë nga stërvitjet dhe zhvillimi i garave deri në shtator, transmeton Gazeta Sinjali.

‘Mbrëmë në takimin që e kemi pasur ndër ministror, ka qenë edhe ministrja MKRS-së, znj. Dumoshi, me të cilën kemi biseduar dhe pas prezantimit të raportit IKShPK-së, rekomandimeve nga ana e kësaj ministrie njëherë do të vazhdohet vetëm me atë që kemi thënë më herët, vazhdojnë stërvitjet për klubet e Superligës në futbollin e Kosovës, kurse një pjesë e madhe e aktiviteteve sportive kanë treguar mirëkuptim qysh nga fillimi si Federata e Basketbollit e Hendbollit mos gaboj dhe sportet e tjera që kanë hequr dorë që në kohë pandemie të fillojnë ushtrimet e të bëjnë garat deri në vjeshtë, deri sa të kaloj kjo situatë fragjile që është akoma’, u shpreh Vitia.

Vitia tutje ka treguar se sapo që IKShPK dhe MKRS japin rekomandimet për zhvillimin e sporteve të veçanta, atëherë do të ndodhë menjëherë.

‘Përndryshe ashtu siç përmenda në fillimi këto analiza epidemiologjike janë duke u bërë në baza ditore dhe do të vazhdojnë të bëhen dhe në momentin kur IKShPK në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit japin rekomandimet se sportet e veçanta mund të fillojnë aktivitetet, unë besoj se kjo do të ndodhë menjëherë’, përfundoi Vitia.

-->