Konfirmon Zidane: Bale mbetet në Real

Futboll 18 Gusht 2019 18:01

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka konfirmuar se uellsiani Gareth Bale do të mbetet në ‘klubin mbretëror’.

E ardhmja e sulmuesit të spikatur ishte njëra nga temat me të cilin gjatë verës ishin marrë mediat botërore, pasi ai ishte në rrugë që të vazhdojë karrierën në Superligën e Kinës.

Madje, edhe Zidane kishte deklaruar se klubi planifikon që të shesë Bale në afatin kalimtar, por deri te kjo nuk erdhi dhe uellsiani në ndeshjen e parë të këtij sezoni në La Liga ishte pjesë e formacionit të parë.

“Bale mbetet në Real. Të gjithë në ekip janë pozitivë dhe ai është pjesë e ekipit. Kam planifikuar që ai të fillojë takimin kundër Celta, pavarësisht lëndimit të Eden Hazard. Tash më e rëndësishme është që të koncentrohemi në sezonin, i cili ka filluar”, tha Zidane pas fitores kundër Celtas (3:1).

Bale në këtë ndeshje luajti 75 minuta dhe ishte asistues i golit të parë të madrilenëve në minutën 12 nga Karim Benzema.