Koronavirus “infekton” Prishtinën – presidenti Ejupi paralajmëron reduktim të pagave

Futboll 23 Mars 2020 12:43

Shumë klube në Evropë kanë konfirmuar se janë futur në krizë financiare pas përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Për shkak të krizës financiare disa klube kanë nisur lirimin e lojtarëve e disa kanë kërkuar nga ata dhe stafi që të pranojnë një ulje page.

Për shembull, klubi i Superligës së Zvicrës, Sion, ka marrë masa drastike duke ua shkëputur kontratat yjeve, përfshirë Pajtim Kasamin e Ermir Lenjanin.

E njëjtë edhe klubi tjetër zviceran Zuerich u ka bërë lojtarëve thirrje të heqin dorë nga pagat gjatë kësaj periudhe. Pjesë e Zuerichut janë disa futbollistë shqiptarë.

Edhe në Norvegji klubi Valerenga, për shkak të krizës financiare të shkaktuar nga koronavirusi, ka larguar lojtarët, në mesin e tyre edhe Herolind Shalën e përfaqësueses së Kosovës.

“Jam lojtar i Valerengas. Por, për shkak se në Norvegji klubet janë në krizë financiare dhe për të shpëtuar klubi ka hequr dorë nga obligimet ndaj nesh. Tash shteti na paguan rrogat e jo klubi. Pas dy javësh kam mundësi, nëse dua mund ta shkëpus kontratën për të qenë lojtar i lirë. Nëse situata qetësohet, klubi mund të na thërrasë dhe të vazhdojmë sërish. Por, për momentin jemi në pushim”, ka thënë Shala të dielën për gazetën.

E pushimi i gjatë mund të pasohet me krizë financiare edhe në Kosovë.

Për shkak të koronavirusit, edhe në Kosovë është pezulluar kampionati dhe nuk dihet se kur do të vazhdojë.

Madje, indirekt klubet e Kosovës mund t’i kapë kriza financiare, meqë nga të drejtat televizive dhe biletat ato nuk fitojnë shumë. Varen nga një biznes apo edhe një grup i vogël i personave.

Dhe, si pasojë e krizës financiare, shumë klube janë shuar apo kanë përfunduar në rangje të ulëta.

Një nga klubet që u ka mbijetuar krizave të herëpashershme në vend është Prishtina, klub që para disa vjetësh është shndërruar në shoqëri aksionare.

Por, kryetari i klubit “bardhekaltër”, Remzi Ejupi, ka paralajmëruar lojtarët dhe stafin se mund të ketë reduktim të pagave. Por, ai ka kërkuar mirëkuptim nga të gjithë në këtë kohë krize që ka kapluar botën e futbollit.

“Me këtë situatë ne jemi përballur që nga vitet ‘90, kur edhe është luajtur pa paga. Në këto momente ne duhet të qëndrojmë afër dhe të ndajmë aq sa kemi mundësi. Të gjithë do të marrin pagat, por jo ndoshta 100 për qind. Ne do t’u qëndrojmë prapa lojtarëve dhe të gjitha klubet duhet të mobilizohemi për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Ne kërkojmë mirëkuptim nga lojtarët, sepse gjithçka varet nga bizneset tona të cilat për momentin kanë pezulluar punën. Do të përpiqemi t’i paguajmë për çdo muaj, por se si dhe sa nuk e dimë. Do të ketë reduktime, por besoj se do të kenë mirëkuptim”, ka thënë Ejupi.

-->