Kosova apo Shqipëria? Si i krahasonte Duka të dy kombëtaret

Kombëtarja 24 Qershor 2019 20:35

Armand Duka së fundmi ka deklaruar se Shqipëria po e “vuan” faktin se është e ndarë me Kosovën.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka folur për Supersport për të dy kombëtaret shqiptare në futboll, të Shqipërisë dhe atë të Kosovës, transmeton Insporti

Numri një i FSHF-së ka bërë një krahasim interesant, ku ka thënë se ndarja e Shqipërisë dhe Kosovës në futboll, është njëjtë sikur futbollistët e Katalonisë të mos luanin për Spanjën.

“Patjetër, sepse nëse do të ishim më shumë, do të kishim më shumë alternativa. Disa nga kualitetet e Kosovës mbase do të ishin pjesë e Shqipërisë, por ky është një fakt dhe nuk mund të merremi më të analizojmë apo ta ç’bëjmë”, ka thënë Duka kur u pyet se a po e vuan Shqipëria faktin se të dy kombëtaret janë të ndara.

“Ne duhet të mësohemi dhe të jetojmë me këtë realitet dhe të ndërtojmë dy skuadra kompetitive”, ka theksuar Duka.


Kosova e Shqipëria për herë të fundit ishin ndeshur ndërmjet vete në maj të 2018-tës

“Kam parë ndeshjen me Bullgarinë dhe atë me Malin e Zi. Kanë qenë ndeshje të interpretuara shumë mirë, me mobilizim dhe atmosferë pozitive. Rezultatet nuk janë të rastësishme. Është një ekip i përgatitur mirë, ka një trajner shumë të mirë dhe është shumë e rëndësishme që ka një atmosferë shumë pozitive rreth ekipit dhe gjithkund në Kosovë”, tha Duka.

Ai e vlerësoi atmosferën në kombëtaren e Kosovës, ku tha se për krahasim, te Shqipëria ajo kohëve të fundit nuk ka qenë aspak e mirë.

“Atmosfera rreth ekipit kombëtar te ne nuk ka qenë shumë e mirë kohët e fundit, jo vetëm në shkallët e stadiumit, por në përgjithësi. Kur shkuan në Europian nuk kishim ku t’i akomodonim VIP-at dhe politikanët, kurse sot asnjë nuk na vjen në stadium. Një ekip modest ka nevojë për mbështetje maksimale dhe atmosferë pozitive nga të gjithë”, tha ai.

Por, çfarë kishte thënë Duka për kombëtaren e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, kur “Dardanët” ishin të pandalshëm në Ligën e Kombeve?

Numri një në futbollin shqiptar, kishte thënë se të bëhej krahasimi ndërmjet dy kombëtareve, është një gjë e vështirë.

Tutje, ai kishte shtuar se nsëe krahasohen me renditje, atëherë renditja në FIFA flet vetë.

“Është e vështirë që ta bëjmë krahasimin Kosovë-Shqipëri. Në futboll masin rezultatet. Ekipi i Kosovës është për t’u përgëzuar, sepse në një kompeticion të dytin historik zyrtar bëri një paraqitje shumë të mirë, pavarësisht se një kategori inferiore. Nëse do t’i krahasoni me renditje, lexojini në renditjet e FIFA-s”, kishte thënë ai.

Ai kishte përmendur edhe mundësinë që Shqipëria e Kosova të përballeshin në ndeshje zyrtare. Një gjë të tillë e kishte cilësuar si të paimagjinueshme.

“Nuk e imagjinoj përballjen tonë zyrtare me Kosovën. Por gjithsesi ekzistojnë mundësitë. Ne jemi në vazon 4, Kosova është në vazon 5”, kishte përfunduar ai.

Kujtojmë se ndeshejn e fundit ndërmjet dy kombëtare, Kosova e kishte fituar me rezultatin të thellë, duke e mposhtur Shqipërinë 3:0. /Insporti.com/