Kosova kërkon përkrahje nga tifozët për ta mposhtur Luksemburgun

Kombëtarja 12 Gusht 2019 18:37

Federata e Basketbollit të Kosovës u ka bërë thirrje tifozëve të jenë në numër sa më të madh në palestër për t’i përkrahur “Dardanët” në ndeshjen e rëndësishme ndaj Luksemburgut, në fazën parakualifikuese të Eurobasket 2021

Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë të mërkurën mbrëma ndeshjen e tretë në fazën parakualifikuese të Eurobasket 2021.

“Dardanët” i kanë pësuar dy humbje në dy ndeshjet e para, fillimisht nga Luksemburgu në udhëtim dhe më pas nga Britania e Madhe në shtëpi.

Këto humbje i kanë zbehur gjasat e Kosovës për të kaluar në fazën kualifikuese, por ekipi i Damir Mulaomeroviqit nuk është dorëzuar ende tërësisht.

Dardan Berisha me shokë synojnë t’i fitojnë dy ndeshjet e ardhshme dhe të fundit për ta prekur fazën tjetër.

E për ta arritur këtë, ata kanë nevojë për përkrahjen e tifozëve.

Për këtë arsye, Federata e Basketbollit të Kosovës përmes grupit të saj në rrjetet sociale u ka bërë thirrje tifozëve ta mbështesin ekipin Verdhekaltër në ndeshjen e së mërkurës mbrëma ndaj Luksemburgut, e cila do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.

“Vetëm me tifozët tanë të flaktë do të mund t’ia dalim kundër Luksemburgut. Përkrahja e tifozëve është shumë e rëndësishme për këtë ndeshje të fundit të Kosovës në kuadër të parakualifikimeve për Kampionat Evropian. Ju presim të gjithëve të mërkurën nga ora 20:30 në Pallatin e Rinisë, Prishtinë. Kosova – Luksemburgu, 14 gusht (E mërkurë), ora 20:30, Pallati i Rinisë”, ka shkruar shtëpia e basketbollit kosovar.