Kosova para Serbisë e Malit të Zi

Kombëtarja 05 Korrik 2019 19:49

Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) e ka ndryshuar sistemin e garave evropiane për klube, ndërsa ndryshimet hyjnë në fuqi pas një viti, prej edicionit 2020\2021. Në kuadër të këtyre ndryshimeve, EHF-ja të premten publikoi rangimin e vendeve që është i vlefshëm për edicionin e ardhshëm, pra edicionin 2020\21.

Rangimi është i bazuar në sukseset e klubeve në tri edicionet e kaluara të kupave evropiane (2016\17, 2017\18 dhe 2018\19).

Te meshkujt, Kosova renditet në vendin e 29-të dhe lë prapa vende të shumta evropiane, duke përfshirë Serbinë, Bosnjën, Bullgarinë, Lituaninë, Malin e Zi, Qipron, Britaninë e Madhe, Moldavinë, Gjeorgjinë, Italinë dhe plot 11 shtete tjera.

Rangimi edhe një herë dëshmon për avancimin e hendbollit kosovar, duke përfshirë edhe ngritjen graduale të klubeve. Në bazë të rangimit, Kosova në edicionin 2020\21 do të ketë të drejtën e prezantimit me katër skuadra të meshkujve në Kupa Evropiane. Kampioni do të garojë në garën e re, të quajtur “European Handball League”, që e zëvendëson Kupën aktuale të EHF-së. Kurse tri skuadra tjera do të kenë të drejtën e pjesëmarrjes në Kupën e EHF-së, që tani njihet si Kupa Sfiduese (Challenge Cup).

Te femrat, Kosova e ndanë vendin e 26-të me Qipron e Izraelin dhe lë mbrapa vende si: Greqia, Luksemburgu, Portugalia, Belgjika, Islanda dhe plot 16 shtete tjera. Edhe te femrat Kosova prej edicionit 2020\21 do të prezantohet me kampionin në European Handball League dhe me tri ekipe tjera në Kupën e EHF-së.

European Handball League do të luhet në grupe dhe kështu kampionët e Kosovës pritet të kenë të garantuara më shumë se nga dy ndeshje evropiane.