Kosova para Serbisë në renditjen e EHF-së – ky është reagimi në Serbi

Kombëtarja 29 Prill 2020 13:54

EHF ka njoftuar për renditjen e vendeve evropiane, klubet e të cilëve do të garojnë në Ligën e Kampionëve të hendbollit 2020/21.

Mediat serbe nuk mund ta pranojnë faktin se Kosova është para Serbisë dhe si gjithmonë kanë reaguar ashpër.

“Kjo nuk ka kuptim. Hendbolli serb është më i dobëti në Evropë. Madje, edhe Kosova është plasuar më mirë se ne”, ka shkruar mediumi serb “Espreso.rs”.

“Serbia e ka prekur fundin. Ka mbetur edhe prapa të së ashtuquajturës Kosovë. Çka po ndodhë me boshnjakët”, shkruan mediumi tjetër serb “Mondo”.

As mediumi boshnjak “Mondo.ba” nuk e ka pritur aspak mirë vlerësimin e EHF-it.

Vendim skandaloz i EHF-së, e ashtuquajtura Kosova para Serbisë, lista pa BeH”, është titulli i shkrimit të publikuar të martën pasdite në faqen “Mondo.ba”.

Kryetari i Federatës së Hendbollit të BiH, Sllobodan Zadre, tha se është i tronditur nga ky vendim i EHF.

“Jam i befasuar dhe i tronditur nga ato që do të thoshin me këtë listë të renditur për Bosnje dhe Hercegovinë. Është e sigurt që do të kontaktojmë EHF dhe do të kërkojmë një shpjegim. Ne sinqerisht shpresojmë që ky është një gabim i shkaktuar nga situata aktuale për shkak të pandemisë korona virusit”. tha Zadre.

“Është katastrofale e dhëna që në vendin e fundit është Serbia, ndërsa sipër saj, me numër të njëjtë të pikëve, është ‘Kosova”, ka shkruar “Mondo.ba”.

Anëtari i Bordit të Federatës së Hendbollit të Bosnjë-Hercegovinës, Vojislav Ragja është shprehur i dëshpëruar për ranglistën e EHF-së.

“Nuk e dimë se si ka ardhur te ky kategorizim, që Kosova të jetë në listë e ne të mos jemi. I kam shikuar paraqitjet e ekipeve kosovarë në Evropë. Ato nuk kanë fitore sa ne nga Bosnja kishim vetëm vitin e kaluar. Si kanë fituar e ne nuk jemi në atë kategorizim, vërtetë nuk e kam të qartë. Federata së shpejti do të vendos në cilën mënyrë do të reagojë ndaj EHF-së”, ka thënë Vojislav Ragja.

-->