Kosova pësoi humbje nga Sllovenia

Kombëtarja 26 Shtator 2019 21:19

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (femrat), ka humbur ndeshjen e parë të fazës së dytë të kualifikimeve për “Euro 2020”.

Të enjten në Maribor, Kosova pësoi humbj nga Sllovenia me rezultat 32:23. Pas pjesës së parë rezultati ishte 16:10 për sllovenet.

Përkundër humbjes, paraqitja e vajzave tona ishte solide, duke dhënë shpresë për paraqitje edhe më të mira në të ardhmen e po ashtu për rezultate pozitive. Sllovenia ka kombëtare cilësore dhe lojtare me përvojë të madhe. Por ndaj tyre vajzat tona në periudha të gjata ishin rivale të barabarta.

Gjithsesi ndeshja në Maribor pritet të shërbejë si përvojë shumë e vlefshme për Përfaqësuesen tonë. Kishte edhe dobësi në lojën tonë, gabime e lëshime të ndryshme si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, por loja përfundimisht po shkon duke u përmirësuar.

Më mirë pritet të jetë menjëherë të dielën (20.00) kur në Prishtinë luhet takimi me Gjermaninë, që njëjtë si Sllovenia ka hendboll shumë të zhvilluar.

Ndaj Sllovenisë, Kosova e nisi jo mirë ndeshjen, por hendbollistet tona shpejt nisën të kthehen në lojë. Sllovenia vazhdimisht ka qenë në epërsi, ndërsa angazhimi i vajzave tona nuk ka munguar.

Në këtë ndeshje debutim të suksesshëm kishte Albana Arifi që realizoi 8 gola. Ajo së bashku me kapitenen Leonora Demaj kanë udhëhequr lojën tonë. Për herë të parë në kombëtare ishin edhe Meltem Ylberi e Marijeta Lekaj.

Albana Arifi ishte më efikasja te Kosova me 8 gola, kurse 6 gola i realizoi kapitenja Leonora Demaj. Katër herë shënoi Mirela Gjikokaj. Me nga disa pritje janë dalluar edhe portieret Njomëza Kelmendi e Aurora Shehdadi.

Selektori Agron Shabani ka mësuar shumë nga kjo ndeshje. Ka parë dobësitë në lojën tonë, por edhe potencialin që po shkon duke u rritur gjithnjë e më shumë. Të dielën me përkrahjen e shikuesve vajzat tona pritet të ofrojnë edhe më shumë ndaj gjermaneve me përvojë të madhe.

Sllovenia dhe Gjermania në dhjetor paraqiten në kampionat botëror, që dëshmon për cilësinë e këtyre kombëtareve. Por tashmë Kosova po matet me kombëtare të nivelit më të lartë evropian, kurse të dielën para tifozëve kosovarë do të paraqitet Gjermania, ish-kampioni i botës.

Sllovenia – Kosova 32:23 (16:10)

Kosova: Albana Arifi 8, Shkurta Mehmeti 2, Meltem Ylberi 1, Burneta Rama, Verona Zaskoku, Fitore Aliu 1, Njomëza Kelmendi, Ardiana Merditaj 1, Albina Rugova, Aurora Shehdadi, Aida Stagova, Alberina Halitaj, Mirela Gjikokaj 4, Leonora Demaj 6, Marijeta Lekaj, Veronika Kastrati.

-->