Kosova shkon në Ishujt Faroe pa lojtarin më në formë

Nations League 12 Tetor 2018 13:40

Kombëtarja e Kosovës do të udhëtojë në Ishujt Faroe pa futbollistin më të mirë të ndeshjes me Maltën, të zhvilluar në Prishtinë të enjten. Benjamin Kololli, golashënuesi i dyfishtë për Kosovën në fitoren me Maltën, pikërisht në këtë takim ka pësuar një lëndim dhe nuk do të mund të paraqitet në duelin me Ishujt Faroe, që zhvillohet të dielën, raporton Insporti.

Festimi pas golit të parë të Kolollit

Kololli ka pësuar një lëndim që në shikim të parë, nuk dukej serioiz, mirëpo, pas kontrolleve mjekësore të bëra pas ndeshjes, sot u konfirmua se ai nuk do të mund të paraqitet në fundjavë.

Mesfushori i ekipit zviceran Zurich, shënoi ndaj Maltës në minutat 30 dhe 81, në atë që ka qenë shfaqje shumë e mirë për ekipin e Kosovës, po nga e cila barten shumë probleme.

Përndryshe, Kololli është duke kaluar nëpër formë të shkëlqyeshme dhe ka pasur paraqitje shumë të mirë edhe në ekipin e Zurichut.

Ironikisht, një veprim i tij sivët ka qenë hit në mediat evropiane, pas shënimit të golit AEK Larnacas, Kololli u bë i “famshëm”, jo për golin, por për rrëzimin që e pësoi gjatë festimeve.

Insporti raporton se përveç Kolollit, në ndeshjen me Ishujt Faroe do të mungojë edhe Hekuran Kryeziu, bashkëlojtari i tij në Zurich, për shkak të kartonëve të verdhë, duke bërë që në mesfushë dhe në mbrojtje, Kosova të ketë mungesa serioze.

Hekuran Kryeziu u ndëshkua me karton të verdhë dhe mungon me Ishujt Faroe

Në ndeshjen e parë me Ishujt Faroe në Ligën e Kombeve, Kosova kishte shënuar fitore me rezultat 2:0 dhe me 7 pikë nga tri ndeshjet e para, i prin grupit 3, në Ligën D, të Ligës së Kombeve.