Kosova U20 i nis përgatitjet për Eurobasket

Kombëtarja 05 Janar 2019 14:54

Me ndryshime të mëdha, Përfaqësuesja e Kosovës U20 në basketboll, ka nisur përgatitjet për Kampionatin Evropian, Divizioni B.

Në krye të “Dardanëve” ka ardhur trajneri Ibrahim Karabegu, që u shpall kampion me Kosovën U18 në Divizionin C, vitin e kaluar në Prishtinë, transmeton KTV.

Përveç trajnerit, në ekipin U20, kanë ardhur edhe basketbollistët që ishin pjesë e skuadrës fituese U18, si Meriton Ismajli, Erhan Sholla, Dardani Kapiti e shumë të tjerë.

I pranishëm në stërvitjen e parë të U20-s, ishte edhe përzgjedhësi i Kombëtares A në basketboll, Damir Mullaomeroviq.

Përgatitjet e hershme që kanë nisur për Kampionatin Evropian, i ka mirëpritur trajneri Karabeg, që synon befasinë edhe me U20.

Në këtë grumbullim për herë të parë ishte Meriton Ismaili, që ishte një ndër lojtarët kryesor te Kombëtarja U18.

“Dardanët” janë në Grupin C, së bashku me Suedinë, Holandën, Gjeorgjinë, Estoninë dhe Armeninë.

Fundori Etnik Peci, që ishte pjesë e Kosovës U20 edhe në Eurobasketin e fundit, është shprehur optimist, duke mirëpritur edhe ndryshimet e fundit.

Kosova U20 në Kampionatin Evropian, do të marrë pjesë nga 12 deri më 21 korrik në Matosinhos të Portugalisë.