Kosovës i kushton fillimi i keq i ndeshjes ndaj Izraelit

Kombëtarja 05 Gusht 2019 20:51

Fillimi shumë i keq i ndeshjes i ka kushtuar Kombëtares U17 të Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave.

Në kuadër të kampionatit evropian, Divizioni B, që po mbahet në Itali, Kosova humbi nga Izraeli me rezultat 25:18.

Pas pjesës së parë rezultati ishte 13:7 për izraelitet. Ato krijuan epërsi prej 9:0 në fillim të ndeshjes duke shfrytëzuar mungesën e koncentrimit në kombëtaren tonë.

Më pas vajzat tona u kthyen në lojë, ishin të barabarta e në momente edhe më të mira, por nuk ia dolën të shkrijnë rezultatin e lartë të fillimit të ndeshjes.

Më 8 gusht kombëtarja jonë e luan ndeshjen e fundit në grup, ndaj Islandës.

Më pas ka edhe ndeshjet për plasman përfundimtar. Ky evropian i shërben kombëtares tonë për të fituar përvojë dhe për komponim.