Kosovës nuk i shfaqet flamuri në Botërorin e hendbollit – vjen reagimi nga FHK-ja

Kombëtarja 21 Maj 2019 15:13

Kosova U-21 ka mësuar sot shortin për kampionatin botëror të hendbollit Spanja 2019.

Mirëpo, ajo që nuk pritej ndodhi në hedhjen e shortit. Në shortin e hedhur sot, kombëtarja e Kosovës përfaqësohet me logon e Federatës së Hendbollit të Kosovës, dhe jo me flamurin e shtetit të Kosovës.

Por sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci ka deklaruar për KosovaPress se FHK ka reaguar menjëherë dhe shumë shpejtë pritet që drejtuesit e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit të ndërhyjnë.

“Po e kemi parë, në atë mënyrë kanë vendosur që të na prezantojnë. Ne kemi reaguar menjëherë tek Federata Ndërkombëtare e Hendbollit dhe presim që ata të reflektojnë dhe ta ndryshojnë. Tashmë dihet arsyeja se pse kjo ka ndodh, pasi që Spanja nuk na njeh”, është shprehur Gjinovci.

Botërori mbahet në muajin korrik në Spanjë, vend ky që e kundërshton fuqishëm Pavarësinë e Kosovës.