Krahët me probleme, ja gaboi Tirana ndaj Zvedës

Futboll 29 Gusht 2020 11:01

Këto janë ndeshje që për mënyrën se si zhvillohen, pra me një takim, më e favorizuar është skuadra më e madhe, në këtë rast Zvezda. Pse? Sepse kanë avantazhin e eksperiencës. Tjetër gjë është me dy takime…

Përtej kësaj, unë pashë një Tiranë që dha gjithçka në fushën e lojës, ndonëse në pjesën e dytë, kur serbët u zhbalancuan dukshëm, Tirana mund të ishte treguar më cinike në rastet që krijoi. Por edhe në këtë rast hyn në punë eksperienca. Sepse kur je ekspert dhe kupton se çfarë vlere ka një gol në ndeshje si këto, atëherë je edhe më altruist. I referohem rastit të Kobinës, që duhet të kishte pasuar dhe jo të gjuante vetë…

PJESA E PARË

Që pa filluar ndeshja kisha bindjen se shanset ishin 50% për të dyja. Dhe kështu ndodhi. Historia e Zvezdës në Europë nuk ndikoi. Pashë dy skuadra të kujdesshme që studiuan njëra-tjetrën në minutat e para dhe u pa qartë se te serbët vetëm dy lojtarë e bënin diferencën: Katai dhe Nikoliç. Pjesa tjetër ishin normalë. Rrjedhimisht Zvezda rrezikoi vetëm një herë me Nikoliçin. Tirana u përgjigj mirë me disa kundërsulme, por pa rrezikuar portën si duhet me aksione. Për mua rastet e Hoxhallarit dhe të Kalesë nuk mund të llogariten si raste të krijuara.

Ishin thjesht gjuajtje nga jashtë. Por ama i dhanë Tiranës pak më tepër zemër dhe ndihmuan ekipin të rritej në fushë. Në ato momente, do të duhej që skuadra të shtynte më e plotë përpara, por vumë re se krahët nuk funksionuan si duhet. Pra, Hoxhallari me Toshevskin nuk ndihmuan si duhet Kalenë dhe Kobinën, çka mund t’i bënte aksionet e Tiranës akoma më shumë të rrezikshme.

Pas minutës së 30-të, Tirana e kuptoi që edhe diferenca taktike nuk kishte me Zvezdën dhe nisi të guxojë më tepër, por ishte e pjesshme në aksione, jo e plotë. Nëse krahët e mbrojtjes do të shtynin më shumë, kam bindjen që edhe rrezikshmëria apo rastet në portën serbe do të kishin qenë më të mira.

PJESA E DYTË

Më pëlqeu ajo që bëri Muçi. Natyrisht, goli dhe futbolli në tërësi është edhe çështje fati, sepse topi i ndalur në shtyllë në minutën e 59-të mund të bënte diferencën, por ai prodhoi diçka tjetër: zhbalancoi Zvezdën. U befasova se si pas një dominimi të lehtë territorial të Zvezdës, serbët në të dytën u zhbalancuan aq shumë. Pikërisht këtu Tirana duhet të kishte qenë më e qetë, më altruiste dhe më e guximshme.

Dihej që Zvezda nuk do ta dhuronte gjithë pjesën e dytë, por ajo i humbi aq shumë ekuilibrat në mesin e fushës, saqë me pak zgjuarsi edhe mund ta kishte goditur Tirana. Duhej ndoshta që në ato minuta të turbullta të Zvezdës Tirana të vepronte më shpejt, sidomos nga krahët. Por edhe aty peshoi eksperienca, sepse edhe në rastin që pati me Kobinën, ky i fundit në vend që të pasonte, pra të nxirrte blof portierin, tentoi vetë. Kjo peshon në një ndeshje teke. Kaq është. Një shtyllë dhe një rast i humbur e më pas hyn në fuqi ligji i futbollit: Nëse nuk shënon, do ta pësosh.

ZËVENDËSIMET

U bënë në kohën e duhur, por nuk sollën ndryshimin që pritej. Le të jemi të sinqertë, ata që hynë në fushë kishin diferenca me ata që dolën. Dhe kjo u vërtetua… Natyrisht, ka shumë motive se përse nuk dhanë atë që pritej, sepse Toli, Avdijaj dhe Vrapi sapo kanë ardhur, por fakti është që ata nuk e bënë dot ndryshimin. Kjo ndoshta duhet parë në ndeshjen e radhës. Si është gjendja e stolit dhe çfarë ofrojnë ata që janë aty.

Goli i Serbeve

goli

GOLI I PËSUAR

Ishte një gabim në markim. Hoxhallari me Muçin nuk u morën vesh dhe lanë të lirë portugezin që shënoi golin, që në fakt nuk shquhet as për shtatlartësi. Ishte thjesht gabim në markim dhe jo çështje centimetrash e për këtë më vjen pak keq. Por kjo ndodh. Në futboll ka ndodhur, madje edhe skuadrave që unë kam drejtuar. Nuk shkon gjithçka perfekte, edhe pse pas ndeshjes mund të flasësh gjatë për këto episode.

SINJALET

Ajo çka më ngroh te Tirana janë dy elemente: së pari, dha gjithçka në fushë. Pra, nuk ka asnjë pishman. Ky grup, me këtë brumë, dha gjithçka nga vetja. Tjetër gjë pastaj që eksperienca bën diferencën dhe natyrisht, një ekip ekspert i vlerëson më shumë detajet. E dyta, ishte lirshmëria dhe vetëbesimi, pas 20 minutave të para, por mbi të gjitha pas golit të pësuar. Po, po, Tirana më pëlqeu se si reagoi pas golit, sepse sërish krijoi raste.

Madje, Tirana krijoi më shumë raste sesa në Tbilisi, por nuk ia doli të shënonte. Do të thotë se bërthama është. Lojtarët kanë besim te vetja e tyre dhe kjo duhet t’u shërbejë si pikënisje në ndeshjen e radhës. Por duhet të korrigjojnë diçka në krahët e mbrojtjes. Ata nuk funksionuan mirë as në Tbilisi, por atje morën rezultatin e dëshiruar dhe kjo nuk u vu në dukje, por është problem. Me mënyrën se si luan Tirana, ky aspekt duhet të përmirësohet.

MIREL JOSA

-->