Krasniqi: Rexha ishte i bllokuar, këta dy futbollistë janë fajtor për golin e pësuar

Futboll 16 Korrik 2019 23:03

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës U-19, Ramiz Krasniqi është i ftuar në rolin e analistit në Radio Televizionin e Kosovës për të analizuar ndeshjen Feronikeli – TNS, që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan Insporti.com.

Feronikeli pësoi humbje me rezultat 1:0 nga kampioni i Uellsit, The New Saints duke u eliminuar nga Liga e Kampionëve, edhe pse në ndeshjen e parë kishte barazuar me rezultat 2:2.

Krasniqi ka thënë se sulmuesi kryesor i kampionit të Kosovës, Kastriot Rexha ishte totalisht i bllokuar nga mbrojtja uellsiane.

“Sigurisht se ka pritur një harkim të mirë për të realizuar. Nëse për 70 minuta nuk vërehet, atëherë duhet të bëhet një ndryshim, ishte i bllokuar total. Dy mbrojtësit e TNS ishin shumë të fortë, është dashur që Astrit Fazliu të përdoret si sulmues kryesor sepse është shumë i lëvizshëm dhe do t’iu kishte krijuar probleme mbrojtësve”, tha Krasniqi për Radio Televizionin e Kosovës, transmeton Insporti.com.

Tutje, ai ka shtuar se është dashur të shfrytëzohet ky moment në maksimum.

“Ky rast nuk të vjen dy herë, shumë rrallë të vjen ky rast, ky është një moment të shfrytëzohet në maksimum. Pak ka qenë pa përgjegjësia e dy qendërmbrojtësve sepse nuk është dashur t’i lejohet ajo hapësirë sulmuesit”, përfundoi Krasniqi.

TNS shënoi golin e vetëm dhe të fitores përmes Dean Ebbe, gol që ia sjell uellsianve kualifikimin tutje me rezultat të përgjithshëm 3:2.

Kështu, Feronikeli do ta vazhdojë aventurën evropiane në Ligën e Evropës, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes Sutjeska – Bratislava /Insporti.com/

-->