Kreret e Lidhjeve Rajonale e mbështesin Agim Ademin për kryetar në procesin zgjedhor që po konsiderohet i kurdisur nga “opozita e FFK-së”

Futboll 09 Mars 2022 17:27

Përmes një komunikate për media, Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se presidenti aktual, Agim Ademi është takuar me krerët e Lidhjeve Rajonale të Futbollit të Kosovës, të cilët thuhet se i dhanë mbështetjen për një tjetër mandat në krye të FFK-së, në kuvendin zgjedhor që po konsiderohet i kurdisur nga “opozita e FFKsë”.

“Presidenti Agim Ademi ka pritur kryetarët e Lidhjeve Rajonale të Futbollit të Kosovës. Në këtë takim u diskutua për gjendjen aktuale të futbollit në Kosovë, por edhe për shumë elemente tjera në lidhje me zhvillimin dhe përparimin e këtij sporti me shtrirjen më të gjerë në vend. Ashtu siç kishte marrë miratimin nga KE, Ademi mori edhe përkrahjen e LRF-ve për kandidaturën e tij për mandatin e ardhshëm katërvjeçar në krye të FFK-së. Kryetarët e regjioneve u shprehën të kënaqur me punën që presidenti Ademi ka realizuar gjatë këtyre viteve, derisa u zotuan se do ta mbështesin fuqishëm edhe në mandatin e ardhshëm”, thuhej në njoftimin e FFK-së.

Nga kundërkandidatët dhe opozitarët e Ademit, ky proces zgjedhor po konsiderohet joligjor. Poashtu joligjor u konsiderua edhe nga Ish-sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Sakihu iditë më parë ua ka dërguar një letër drejtuesve të FFK-së, përmes së cilës ua ka bërë me dije se ky kuvend i thirrur për 6 prill është joligjor, duke ua interpretuar statutin. Ai theksoi se Kuvendi Zgjedhor duhet të thirret dy muaj më herët, teksa deklaroi se më 3 Korrik 2022 përfundon mandati i Ademit.

Ndryshe, me datë 02.03.2022, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nën drejtimin e presidentit Agim Ademi shpalli zgjedhjet për kryetar. Me këtë rast u vendos që Kuvendi i Rregullt Zgjedhor për president të FFK-së të mbahet më 6 prill, ditë e mërkurë.

Deri më tani zyrtarisht dihen tre kandidatë për kryetar të FFK-së: Agim Ademi, Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti.

-->