Kriza e covid-19 prek McLaren, shet aksione për të siguruar mbijetesën në F1

Formula 1 24 Qershor 2020 11:11

Vijojnë problemet financiare te makina britanike McLaren, e detyruar të shesë disa nga kuotat e saj për të siguruar mbijetesën në Formula 1.

Sipas medieve britanike, makina McLaren ka nevojë urgjente për para “cash”, të cilat duhet të vijnë në arkën e saj brenda datës 17 korrik.

Sipas “BBC”, drejtuesit e Mclaren do të hipotekojnë mjediset e saj në Woking dhe disa nga makinat e saj që kanë bërë epokë.

Investitorët e makinës britanike kanë bërë një derdhje në mars të këtij viti, me shumën 321 milionë euro, ndërkohë që nevojiten edhe rreth 230 milionë euro të tjera.

Sipas kompanisë, kjo krizë u krijua për shkak të Koronavirusit, ndaj këto para do të shpenzohen për të dalë nga kriza.

Për këtë arsye, McLaren do të nxjerrë në shitje një përqindje të kuotave të saj, duke shpresuar që shumë shpejt të sigurojë fondet e nevojshme për të vijuar mbijetesën.

-->