Kriza nga pandemia, Mercedes i ofron Hamiltonit rinovim me përgjysmim të pagës

Formula 1 05 Korrik 2020 10:45

Drejtuesit e skuadrës Mercedes i përgjysmojnë të ardhurat kampionit në fuqi të botës Lewis Hamilton. Shtyrja e pazakontë, prej periudhës së gjatë të izolimit dhe masave të forta shtrënguese që u morën anembanë globit, për shkak të pandemisë së koronavirusit ka shkaktuar humbje të rënda në aspektin ekonomiko–financiar për Formulën 1 në përgjithësi. Mbi të gjitha pasojat i kanë vuajtur skuadrat në veçanti, për shkak të mungesës së aktivitetit dhe në mënyrë të kuptueshme shtyrja e vazhdueshme e kalendarit dhe anulimi i disa garave për shumë ekipe ka bërë që të mbyllet “rubineti” që sillte të ardhura marramendëse nëpërmjet sponsorëve të ndryshëm.

Pak prej krizës së pritshme që është reflektuar, si pasojë e virusit COVID-19 dhe pak nga epërsia e madhe teknologjike që ka krijuar makina e famshme gjermane kundrejt rivalëve të tjerë, dhe me sa duket drejtuesit e skuadrës Mercedes më në fund kanë vendosur për të reduktuar shpenzimet, deri në atë pikë sa për t’i ofruar vetëm 20, nga 40 milionë stërlinat që përfiton Hamilton nëpërmjet kontratës aktuale. Në klasifikimin e sportistëve më të pasur në planet për vitin 2020, të shpallur vetëm një muaj më parë nga revista prestigjioze Forbes, Lewis Hamilton renditet në pozicionin e 13, me 54 milionë dollarë.

Veterani britanik është me diferencë piloti më i paguar në sportin e automobilizmit, sepse për të gjetur pilotin e radhës në këtë lloj renditje të veçantë duhet zbritur në vendin e 32-të, ku pozicionohet piloti gjerman i skuadrës Ferrari Sebastian Vettel, me 36.3 milionë dollarë. Nga 54 milionët e fituar nga piloti anglez, 42 janë siguruar nëpërmjet kontratës aktuale me ekipin Mercedes, ndërsa 12 nga të ardhurat e tjera që ka përfituar Hamilton nëpërmjet sponsorëve të ndryshëm. Në këtë mënyrë e ardhmja e 6 herë kampionit të botës në Formula 1 me ekipin Mercedes vihet në dyshim.

Britaniku 35-vjeçar tani ka përpara vetes vetëm pilotin legjendar Michael Schumacher, që vijon të kryesojë me 7 tituj në botërorin e pilotëve, megjithatë mbetet për t’u parë se si do të reagojë vetë Hamilton nga kjo përpjekje e drejtuesve të ekipit, për t’i përgjysmuar rrogën. Natyrisht kjo është një periudhë e vështirë për të gjithë, madje krerët më të lartë të Formulës po diskutojnë prej kohësh me drejtuesit e skuadrave për të kufizuar buxhetin në dispozicion të ekipeve, me qëllim uljen e kostove, teksa është fiksuar shuma 160 milionë dollarë për sezonin e ardhshëm, për më tepër do të ketë të tjera bisedime për të zbritur akoma më poshtë kësaj shifre.

Është e qartë që në një kohë të tillë edhe drejtuesit e skuadrës Mercedes do të bëjnë cços për të reduktuar shpenzimet dhe është e kuptueshme që me avantazhin e madh që ka krijuar ekipi gjerman kundrejt ndjekësve më të afërt, që janë Ferrari dhe Red Bulli krerët më të lartë të ekipit kanë gjithashtu edhe luksin për të ndryshuar. Nëpërmjet menaxherëve të tij Lewis Hamilton ka kërkuar 40 milionë paund në sezon për të rinovuar, ndërsa bosi i skuadrës Toto Wolff nuk ka ndër mend të ofrojë më tepër se 20 milionë stërlina. 48-vjecari vjenez që përveçse mbulon rolin e drejtorit të përgjithshëm, te ekipi Mercedes ka gjithashtu edhe 30% të aksioneve, është i vetëdijshëm për situatën dhe sipas “Sportsmail” i ka thënë në mirëbesim njerëzve më të afërt se 20 milionë stërlina është maksimumi që mund të ofrojë për kampionin në fuqi.

Kriza aktuale ka prekur ndjeshëm natyrisht edhe ekipin Mercedes, që në Northamptonshire ka të punësuar plot 1.000 punonjës. 300 prej tyre rrezikojnë vërtet shumë, por nga sa mësohet gjithçka mund të ndreqet, e që të bëhet e mundur kjo do të mjaftonte pikërisht përgjysmimi i rrogës që përfiton për momentin Lewis Hamilton. Vetë Toto Wolff ishte nismëtari i një propozimi për të limituar pagën vjetore të një piloti të Formulës 1 deri në 25 milionë dollarë, kështu që piloti britanik duhet të reflektojë dhe të mendohet mirë.

Problemi është se Hamilton krenohet me faktin që numëron 84 fitore, 88 pole position, 151 podiume, për më tepër piloti britanik përveçse kampioni në fuqi është kurorëzuar gjithashtu edhe 6 herë me titullin në botërorin e pilotëve, megjithatë 35-vjeçari duhet të logjikojë me ftohtësi dhe të kuptojë që një meritë të madhe për gjithë këto arritje e ka ekipi Mercedes, që ka dominuar gjashtë sezonet e fundit, duke fituar 6 trofe radhazi në kampionatin botëror të konstruktorëve, për më tepër në fund të sezonit do të lirohet nga skuadra Ferrari edhe një pilot si Sebastian Vettel.

Dëshira e pilotit britanik mbetet Ferrari, skuadra ëndërr për çdo pilot të këtij sporti, gjithsesi ajo derë është mbyllur për veteranin anglez, duke patur parasysh që në Maranello kanë shpallur prej kohe dyshen Charles Leclerc – Carlos Sainz Jr. si çiftin që do të përfaqësojë skuderinë e kuqe vitin e ardhshëm. Hamilton nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të pranojë ofertën e përgjysmimit të pagës aktuale, përndryshe do të rrezikojë të humbasë shkëlqimin në njëvendëshen e një makine tjetër aspak kompetitive, ose të tërhiqet fare nga ky sport. Toto Wolff ka thënë prej kohësh që për kontratën do të diskutohet vetëm në fundin e sezonit me të dy pilotët.

48-vjeçari austriak ka shtuar se prioritet për skuadrën përbën pikërisht çifti aktual Hamilton – Bottas, kështu që dyshes do t’i ofrohet rinovimi, sidoqoftë Toto Wolff ka shpjeguar gjithashtu se i pëlqen shumë edhe Sebastian Vettel, që e ka fqinj në Zvicër dhe të cilin e konsideron si një ndër pilotët më të mëdhenj të Formulës 1. Lewis Hamilton është i paralajmëruar.

-->