Kruja e Buzeti, dy super sfidat e radhës për automobilistët kosovarë

FASK 05 Shtator 2019 20:23

Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK)  është mobilizuar maksimalisht për dy garat e radhës, në të cilat do të marrin pjesë automobilistët tanë.

Fillimisht, në këtë fundjavë, mbahet gara në Krujë, e vlefshme edhe për FIA CEZ (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit për Zonën e Evropës Qendrore).

Kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi, vlerëson se të dyja garat janë shumë të rëndësishme, ndërkohë që beson edhe në paraqitje të mirë të garuesve tanë.

“Kruja është një shteg të cilin garuesit tanë e duan shumë, pasi ne kemi qenë të parët që kemi shkuar aty, madje në vitin 2014, FASK edhe e ka menaxhuar garën. Sivjet, në marrëveshje me Federatën e Auto Sportit të Shqipërisë, poentimi do të jetë i dyfishtë, pra pikët do të llogariten për FIA CEZ, por edhe për Kampionatin e Kosovës, prandaj pjesëmarrja është e rëndësishme. Përveç kësaj, garuesit tanë do të fitojnë më shumë përvojë në gara ndërkombëtare, pasi aty do jenë edhe garues nga vende tjera”, ka thënë Rexhepi për Insporti.com.

Ai ka shtuar se FASK ka arritur që për garuesit të sigurojë akomodimin në Krujë, pastaj ata nuk do të paguajnë startarinë (pjesëmarrjen në garë),  ndërsa u ka hequr edhe një pjesë të shpenzimeve.

Vetëm një javë më vonë, në Buzet të Kroacisë mbahet gara për Kampionatin Evropian.

“Buzeti është diçka krejt tjetër. Për garën e atjeshme interesimi është i jashtëzakonshëm. Numri i pjesëmarrësve mund të jetë mbi 250,me garues nga shumë vende të Evropës. Është ndër garat më interesante që zhvillohen në kuadër të Kampionatit Evropian. Aty shpallen edhe kampionët, pastaj plasmani gjeneral dhe për garuesit tanë pjesëmarrja është e rëndësisë së veçantë”, ka shtuar numri një i FASK-ut.

Pjesëmarrja në këto dy gara ka kosto mjaft të lartë, por Rexhepi shpreson që institucionet relevante të ndihmojnë për shkuarjen në Buzet.

“Po shpresojmë që Departamenti i Sportit dhe Ministria do ta vlerësojnë pozitivisht pjesëmarrjen në Buzet dhe do ta financojnë pjesëmarrjen atje. Ndërkohë, ne jemi duke i bërë përgatitjet e fundit dhe para nisjes do të bëhet edhe kontrollimi teknik i veturave, pasi kriteret atje janë shumë strikte. Po ashtu besojmë që nuk do të kemi problem as me  pajisjen me viza, pasi kemi aplikuar me kohë”, ka theksuar Rexhepi./Insporti/