Kryetari i FBK-së tregon si ka qenë viti 2019 në basketbollin e Kosovës dhe çka pritet në vitin 2020

Kombëtarja 24 Dhjetor 2019 13:02

Viti 2019 ka qenë me shumë aktivitete për basketbollin e Kosovës. Pjesëmarrja me gjashtë ekipet e reja: Kosova U20, U18 dhe U16 në të dyja konkurrencat, organizimi i Evropianit i Divizionit B për Femra U20, ndeshjet e Kosovës A, garat vendore dhe për gjeneratat e reja, kanë qenë disa nga aktivitetet që e kanë përcjellë Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) gjatë vitit që po e lëmë pas.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ka folur për të arriturat në vitin 2019.

Si ka qenë viti 2019 për basketbollin e Kosovës?

Pa dyshim se e arritura më e madhe ka qenë organizimi i jashtëzakonshëm i Kampionatit Evropian, Divizioni B, për Femra U20 në Prishtinë. Ka qenë hera e parë që një Evropian i Divizionit B është mbajtur në vendin tonë. Për organizimin e mirë kemi marrë lëvdata edhe nga FIBA. Ka qenë një përvojë shumë e mirë për ne.

Në përgjithësi me kategori të reja kemi marrë pjesë në gjashtë Kampionate Evropiane, të gjitha në Divizionin B. Këtë vit për herë të parë kemi Superligën e Femrave me gjashtë skuadra, derisa gjashtë skuadra tjera janë në Ligën e Parë të Femrave.

Po ashtu i kemi kushtuar shumë rëndësi gjeneratave të reja dhe tashmë kemi liga deri në U14, ku në këtë vit kemi filluar për herë të parë edhe me femrat U14.

Janë organizuar kampe të suksesshme për U14 në konkurrencën e meshkujve dhe atë të femrave.

Gjithashtu janë organizuar edhe seminare për trajnerë dhe gjyqtarë. Tashmë kemi gjashtë gjyqtarë që gjykojnë në garat evropiane.

Sigal Prishtina te meshkujt arriti për herë të parë të jetë në Top-16 të FIBA Europe Cup. Ky ishte një sukses i madh.

Mabetex Prishtina në konkurrencën e femrave për herë të parë ka garuar në FIBA EuroCupWomen. Në përgjithësi ka qenë hera e parë që një skuadër kosovare garon në gara të nivelit të tillë. Shpresojmë se në edicionet e ardhshme do të kemi më shumë suksese në këtë garë.

Edhe në këtë vit kemi ndihmuar klubet, duke i hequr obligimet financiare ndaj gjyqtarëve dhe mbajtjen e statistikave ‘Live’.

Cilat kanë qenë sfidat për këtë vit?

Kemi pasur shumë aktivitete dhe sigurisht se nuk kanë munguar edhe sfidat. Kemi investuar edhe në infrastrukturë sa kemi mundur, në mënyrë që garat ndërkombëtare të zhvillohen normalisht dhe pa asnjë problem, por sigurisht se ka nevojë për më shumë. Për këtë kërkoj ndihmën nga institucionet qendrore. Shpresoj se do të kemi më shumë ndihmë nga shteti, sepse po organizojmë shumë ngjarje, siç është Evropiani në Prishtinë, seminare me trajnerë e gjyqtarë, kampe për grupmosha të reja dhe shumë aktivitete të tjera.

Gjithashtu në këtë edicion është rikthyer KB Peja, që i ka munguar basketbollit të Kosovës. Kjo ka shtuar interesimin në Superligë, rivalitetin, por edhe shikueshmërinë.

Disa nga ngjarjet e rëndësishme që e presin basketbollin e Kosovës më 2020?

Ngjarja më e madhe pa dyshim se do të jetë organizimi i Evropianit i Divizionit C për Meshkuj U16 në Prishtinë. Kjo është hera e tretë radhazi që FIBA Evropa na beson një Kampionat Evropian të zhvillohet në Prishtinë. Kjo do të thotë shumë për Federatën e Basketbollit të Kosovës, por edhe një shpërblim për punën që ka bërë në organizimin e dy kampionateve në kryeqytet, që kanë qenë shembull edhe vendet tjera.

Një projekt shumë i madh dhe që presim të realizohet është Qendra Kombëtare e Basketbollit (QKB). Pasi jemi takuar me Grupet e Interesit siç janë trajnerët, klubet dhe veteranët, presim që projekti të realizohet, si dhe Themelimi i Veprimtarisë së Akademive të Basketbollit në Kosovë.

Këto janë shumë të rëndësishme për gjeneratat e reja dhe besojmë se mund të kenë suksese, derisa nga kjo të përfitojnë gjeneratat e reja të basketbollit, por edhe të kemi më shumë rezultate pozitive në garat ndërkombëtare.

Gjithashtu presim që Kupa të organizohet në mënyrën më të mirë të mundshme, si dhe garat vendore të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Shpresojmë se do të kemi suksese edhe me Kosovën A, gjeneratat e reja, si dhe me skuadrat tona në garat ndërkombëtare.

-->