Kulla 2018, festa e madhe e automobilizmit

FASK 24 Gusht 2018 17:50

Më 1 e 2 shtator na pret një tjetër festë e madhe në automobilizëm, e cila padyshim është ngjarja më e rëndësishme në auto sportin kosovar.

Në Kullë mbahet gara e radhës në disiplinën malore të Kampionatit të Kosovës, por e veçanta e saj është se do të jetë edhe e karakterit ndërkombëtar dhe pikët e fituara nga garuesit do të evidentohen edhe nga FIA CEZ (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit për Zonën e Evropës Qendrore).

Duke marrë parasysh që interesimi është i madh, Federata e Auto Sportit e Kosovës i ka filluar më herët përgatitjet në mënyrë që gara të ketë rrjedhën më të mirë të mundshme. Kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi, është shprehur optimist se gjithçka do të shkojë siç duhet, ashtu siç e meriton një garë e karakterit ndërkombëtar. “Ne tashmë e kemi fituar besimin e FIA CEZ dhe besoj që edhe kësaj radhe do të dëshmojmë se jemi në gjendje të organizojmë gara në nivel të kënaqshëm. Kulla është e veçantë edhe për garuesit tanë, por këtë herë do të jetë edhe më ndryshe, marrë parasysh që poentohet edhe nga FIA CEZ”, ka thënë Rexhepi për Insporti.com.

Numri një i FASK-ut shpreson që në këtë rast do të kontribuojnë edhe institucionet tona, por edhe të gjithë ata që e duan automobilizmin. “Në secilën garë dhe në secilin organizim përpiqemi të jemi më të mirë se në ato paraprake. Risi tjetër do të jetë akomodimi i garuesve dhe zyrtarëve të garës në hotelet e Pejës, në mënyrë që ata ta kenë më të lehtë qasjen në shteg dhe të mos kenë nevojë të udhëtojnë në qytetet e tyre përkatëse. Në këtë drejtim na ka ndihmuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila duke e parë se me kategorizimin e sporteve, Federata jonë ka buxhet shumë të vogël, ka vendosur të financojë garën e Kullës si projekt të veçantë”, ka theksuar Rexhepi.

Gara në Kullë gjithmonë ka zgjuar interesim tek dashamirët e automobilizmit, por nuk ka dyshim që sivjet do të jetë edhe më atraktive.

 

-->