Kundërshtari i ri i Joshuas, boksieri amerikan që peshon 120 kilogramë

Boks 30 Prill 2019 15:15

Andy Ruiz Jr pritet të emërohet kundërshtari i Anthony Joshuas, për meçin i cili do të zhvillohet në Nju Jork.

Kampioni i unifikuar i botës në peshat e rënda, britaniku Anthony Joshua, pritet që të përballet me amerikanin Andy Ruiz Jr në duelin e Nju Jorkut më 1 qershor, përcjell Insporti

Joshua, 29-vjeçar, pritej që të përballej me Jarrell Millerin në Madison Square Garden më 1 qershor por amerikani dështoi në testet e dopingut, duke u detyruar që ta braktisë meçin.

Ruiz i lindur në Kaliforni, po ashtu 29-vjeçar, ka luftuar një herë për titull të botës dhe me shumë gjasë do të konfirmohet si rivali i Joshuas për debutimin e tij në Amerikë.


Ruiz në duelin e fundit të tij më 20 prill, ku e mposhti gjermanin Dimitrenko pas pesë rundeve

Promotori Eddie Hearn ka thënë se Ruiz “do të bëjë çdo gjë”, për t’u bërë kampion i botës.

“Ai do të ju zbavitë, do ta japë të gjithën nga vetja. Edhe nëse do të thotë se në mënyrë sensacionale do të nokautohet, ai më parë do ta bënte këtë se sa mos të provonte”, tha Hearn për Fighthype.com

“Nuk mund të zgjedhja dikë që nuk do të ishte mjaftueshëm i mirë apo zbavitës për fansat. Duhej të zgjedhja dikë që me zemër besoj se do të bëjë gjithçka që të bëhet kampion i botës në peshat e rënda në Madison Square Garden”, tha ai.

Ruiz raportohet se është pajtuar me kushtet, duke i lënë vetëm disa detaje të vogla për t’i finalizuar, derisa Hearn pohon se lufta është “afër”.

Ruiz së fundmi rrahu gjermanin Alexander Dimitrenko më 20 prill, duke peshuar rreth 120 kilogramë, që është rreth 8 kilogramë më shumë se Joshua që peshoi në fitoren e tij të fundit në shtator, ndaj Alexander Povetkinit.

I gjatë 187 centimetra, ai është 10 centimetra më i shkurtër se Joshua dhe do të jetë në disavantazh të madh.

Në ndeshjen e vetme në karrierë ku ai dueloi për titull të botës, Ruizi u mposht me pikë nga boksieri i Zelandës së Re, Joseph Parker, të cilin Joshua e rrahu 15 muaj më vonë për të unifikuar titujt e botës në WBA, IBF dhe WBO.

Të hënën, boksieri i njohur i peshave të rënda, Dillian Whyte, tha se Ruiz përfaqëson një meç sa për ta shpëtuar spektaklin, dhe se ai nuk do të përbëjë asnjë problem për Joshuan.

Joshua do t’i japë fund periudhës nëntë-mujore pa dueluar pasi të jetë futur në ring, dhe do të synojë të zgjatë rekordin e tij të 22 meçeve pa humbje. /Insporti.com/

-->