Kupa Libertadores, triumfi i River erdhi falë një pastruesi

Futboll 24 Maj 2019 10:54

Finalja e fundit e Kupës Libertadores mes River Plate dhe Boca Juniors ka qenë një eveniment planetar, i denjë për një film ose një serial televiziv.

Kësaj sfide nuk i ka munguar asgjë: mes rivalitetit historik, ndeshjes së parë të shtyrë me 24 orë për shkak të një përmbytjeje, sulmit ndaj autobusit të Boca Juniors para ndeshjes së kthimit, transferimit të detyruar të sfidës në Madrid, ku Millionaros kanë fituar në kohën shtesë.

Në një skenar të tillë nuk mund të mungonte detaji që e pasuron akoma më shumë këtë histori. Me një protagonist të papritur: një pastrues nga Buenos Aires, tifoz i River Plate dhe hero për një ditë.

“FORMULA”— Më 16 nëntor, 5 ditë pas ndeshjes së parë të luajtur në Bombonera, trajneri i River, Marcelo “El Muneco” Gallardo, ka qenë për darkë në lagjen Palermo të Buenos Aires. Pasi ka dalë nga restoranti, ai ka vënë re se dikush kishte thyer dritaren e makinës së tij për të vjedhur çfarë kishte brenda. Një dramë e vërtetë: është vjedhur valixhja e trajnerit, që përmbante një iPad, pasaportën dhe një dosje me shënimet taktike mbi Boca-n.

“Formula”, kështu e quante gjatë atyre ditëve “El Muneco”, i cili e kishte kuptuar si ta fitonte sfidën kundër “Xeneizes”, dhe gjithçka ishte shkruar në letrat e vjedhura. Por ka ndodhur një mrekulli. Gjatë natës, Brian Angel Velazquez, pastrues i Cliba-s, kompania që merret me pastrimin e qytetit të Buenos Aires, ka qenë në shërbim.

Atij i është caktuar Avenida Cordoba, që nuk është zona e tij e zakonshme, por një koleg ka qenë sëmurë dhe dikush duhej ta mbulonte. Velazquez, me origjinë nga Fort Apache, e njëjta lagje e Carlitos Tevez, po pastron koshat e plehrave kur ka gjetur një dosje me shirita bardhekuq dhe me stemën e River Plate. Skuadra e zemrës së tij.

“EL PITY” —  Mbaron turnin, kthehet në shtëpi dhe i telefonon menjëherë klubit. I lënë një takim dhe ai mund t’i dorëzojë  dosjen e çmuar pronarit të ligjshëm. Gallardo e pret si ta kishte vëlla, merr shënimet dhe më 9 dhjetor fiton Kupën Libertadores më të rëndësishme të të gjitha kohërave: 3-1 në kohën shtesë, gola të Benedetto dhe Pratto, më pas Quintero dhe Martinez në kohën shtesë.

“Kombinimi mes Nacho Fernandez dhe Lucas Pratto ka ndodhur pikërisht siç ishte shkruar në shënime. Gjithçka ka shkuar siç mendonte Gallardo”, ka zbuluar Velazquez, historia e të cilit ka bërë xhiron e rrjeteve sociale për muaj me radhë. Por tani gjithçka është konfirmuar, gjithçka është e vërtetë.

E quanin “El Chino”, sepse në Argjentinë të gjithë kanë një pseudonim, jo vetëm futbollistët. Megjithatë, Gallardo e ka pagëzuar me një emër të ri kur janë takuar: “El Pity”, mëshira. I njëjti pseudonim që ka Martinez, autori i golit të fundit të River në finalen e Kupës Libertadores 2018-të./Insporti