Kuqezinjtë e Jakovës, tifozë me “referencë” historike

Futboll 10 Shkurt 2019 18:33

Takimi ndërmjet Vëllaznimit e Dritës në kuadër të çerekfinales së Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, përveç fitores minimale të Vëllaznimit, lotëve të Agim Canës dhe përjashtimit të Ismet Munishit, do të mbahet në mend edhe për një veprim unik të tifozëve gjakovarë.

Kuqezinjët e Jakovës, para fillimit të ndeshjes kënduan himnin e Shqipërisë, siç bëjnë zakonisht, por kësaj radhe shpalosën edhe një transparent me një thënie të Luigj Gurakuqit, njërit nga nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe një nga figurat e ndritshme të kombit shqiptar.

“Mua nuk më mbetej gjë tjetër për të bërë përveç që të vejë në Gjakovë e të merresha vesh me atdhetarët e atjeshëm, të cilët qenë të vetmit që luftuan burrërisht e që mbrojtën gjerë në fund të drejtat kombëtare e që janë edhe sot gati të bëhen theror për atdheun tonë të dashur…”, citohet të ketë thënë Gurakuqi, gjatë kohës sa ishte në ekzil në Itali dhe pikërisht kjo “referencë” historike, u shpalos sot në stadiumin e qytetit në Gjakovë.