Kur zemra ndahet në dysh, Arsenali festonte, Cech shikonte penalltitë e Chelsea

Futboll 10 Maj 2019 15:56

Do të luajë veriu kundër perëndimit të Londrës, në finalen e Ligës së Europës.

Kjo përballje u përftua pas ndeshjeve të mbrëmshme, kur Arsenali dhe Chelsea rezervuan vendin e tyre në finalen e Bakut, në Azerbajxhan.

“Topçinjtë” e patën më të lehtë me Valencian, të cilën e mundën edhe në shtëpi 4-2, duke vulosur rezultatin total 7-3.

Blutë e Sarrit vuajtën shumë përballë Eintracht Frankfurt, edhe pse kishin barazuar 1-1 në Gjermani.

Edhe në “Stamford Bridge”, në gjysmëfinalen e kthimit, u regjistrua ky rezultat, gjatë kohës së rregullt, por edhe shtesës prej 30 minutave.

Kësisoj, u desh goditja e penalltive, me Chelsean qw u treguan mw tw mirw.

Nga Arsenali, njëri nga lojtarët ishte më i interesuari për të mësuar se çfarë ndodhte në Londër ishte Petr Cech.

Cech kaloi 11 sezone në “Stamford Bridge. Në vend që të festonte, apo të freskohej me diçka, si pjesa tjetër e skuadrës, pas suksesit të vet, ai e kishte mendjen te “drama” e Chelseat.

Në fakt, ai ishte aq i dëshpëruar për këtë, sa gjeti mundësinë përmes një celulari të dikujt tjetër për t’i parë goditjet e penalltive në “Stamford Bridge”.

Ndeshja finale e Bakut do të jetë tepër emocionale për portierin çek, sepse ka luajtur me të dyja skuadrat, por edhe për shkak se në moshën 36-vjeçare, ai do të tërhiqet nga futbolli.

Kjo do të jetë ndeshja e fundit, në të cilën shpreson të fitojë edhe trofeun e fundit në karrierën si futbollist aktiv./Insporti