Kush është futbollisti të cilit ia dedikoi Majlinda Kelmendi medaljen e artë?

Sporte luftarake 23 Qershor 2019 08:22

Medaljen e artë të Lojërave Evropiane Minsk 2019, Majlinda Kelmendi ia dedikoi kushëririt të saj, futbollistit Labinot Harbuzi, i cili u gjet i vdekur në shtëpinë e tij para disa muajve.

Majlinda Kelmendi e mori medaljen e artë në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë në Lojërat Evropiane Minsk 2019, pasi e mposhti xhudistin Natalia Kuziutina në finale. Pas kësaj përballjeje, ajo e zhvilloi një intervistë me Komitetin Olimpik të Kosovës.

“Këtë medalje ia dedikoj një personi që ka qenë shumë i veçantë për mua, djalit të tezes , Labinot Harbuzit,  të cilin fatkeqësisht e kemi humbur disa muaj më parë dhe ai ka qenë ndoshta ai idoli im i parë kur unë i kam pasur 12 vjet. Ka besu gjithmonë në mu dhe gjithmonë më ka thënë që jam më e mira në botë. Kështu që këtë ia dedikoj atij”, u shpreh Kelmendi.

Por, kur është Labinot Harbuzi?

Labinot Harbuzi ishte futbollist suedez me prejardhje kosovare, i cili luante në pozitën e mesfushorit. Ai luajti në klubin holandezë Feyenoord për pesë vjet, në ligën turke Süper Lig për Genclerbirligi per tri vjet dhe në Allsvenskan për pesë vjet.

Ai kishte luajtur edhe për ekipin kombëtar të Suedisë deri në grupmoshat U-21. Megjithatë, prej vitit 2009 nuk ishte ftuar asnjëherë nga elektori i Suedisë, përkundër që karrierën e tij e vazhdoi deri në vitin 2016, kur luajti për herë të fundit për Melaka Unitedin.

Më 11 tetor 2018, Harbuzi, në moshën 32-vjeçare, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij. Ai ishte transportuar me autoambulancë në spital, por nuk mundi të mbijetojë.