Kush mendon se Behrami e Xhemaili duhet ta nisin nga banka ndeshjen e sotme (Foto)

Futboll 27 Qershor 2018 15:01

Ndeshjet e fundit në kuadër të grupit E zhvillohen sonte me fillim në ora 20:00, kurse rëndësi kanë të dy përballjet, si ajo në mes të Serbisë e Brazilit, e po ashtu edhe Zvicër – Kosta Rikë.

Zvicrës i nevojitet edhe një barazim për ta siguruar 1/8-ën e finales në Botërorin “Rusia 2018”, kurse në një analizë para ndeshjes në emisionin sportiv të “Blick”-ut zviceran, ish-përzgjedhësi i kombëtares së Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, ka bërë të ditur formacionin me të cilin ai mendon se trajneri Vladimir Petkovic, duhet ta fillojë ndeshjen e sotme kundër Kosta Rikës.

Për dallim nga formacioni startues kundër Serbisë, Hitzfeld ka bërë tri ndryshime, ku dy prej tyre edhe arsyetohen, por i treti është shumë befasues.

Ish-selektori 69 vjeçar, mendon se Blerim Xhemaili dhe Haris Seferovic, për shkak të paraqitjeve të dobëta në ndeshjen e fundit, nuk duhet ta fillojnë ndeshjen kundër Kosta Rikës, ndërsa befason mendimi i tij se Valon Behrami duhet po ashtu ta nis ndeshjen e sotme nga banka, kur kemi parasysh se Behrami ka qenë një shtyllë shumë e rëndësishme e mesfushës së Zvicrës, sidomos në ndeshjen kundër Brazilit, e po ashtu edhe në atë kundër Serbisë.

Ottmar Hitzfeld në vend të Behramit në mesfushë, për ndeshjen kundër Kosta Rikës, e sheh Denis Zakarian në tandem me Granit Xhaken, derisa në pozitën e Xhemailit mendon se ndeshjen duhet ta fillojë i riu Breel Embolo.
Po ashtu, për shkak se Haris Seferovic ishte i pavërejtur në ndeshjen kundër Serbisë, në vend të tij, Hitzfeld beson se në sulm duhet të startojë Mario Gavranovic.

Shikoni më poshtë formacionin i cili sipas Ottmar Hitzfeld, duhet ta fillojë ndeshjen kundër Kosta Rikës. /Insporti.com

 

-->